Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar nga Kuvendi lidhur me zhvillimet e fundit, duke kërkuar që deputetët të ndalen dhe të diskutojnë për atë që ka ndodhur dhe pasojat për sigurinë kombëtare, pas masës që SPAK dha ndaj Vlora Hysenit, ish-drejtesue e SHISH. Tabaku iu drejtua edhe deputetëve të mazhorancës, duke thënë se e kupton se edhe shumë prej tyre nuk ndihen mirë për situatën e krijuar.
“E di që dhe shumë nga ju të PS-së sot nuk ndiheni mirë. Ulni kokat. Na kanë ndarë shumë gjëra në politikë, por siguria kombëtare duhet të ishte prioritet. Kjo është njollë për shtetin, jo vetëm për mazhorancën”, u shpreh ajo. Duke iu drejtuar numrit dy të shtetit, Tabaku kërkoi që të ndërpritej puna dhe të zhvillohej një diskutim mes deputetëve.
“Ju si numri dy i shtetit, të bëni një pushim dhe të mblidhemi sot pasdite dhe të diskutojmë se çfarë ndodhi”, tha Tabaku. Ajo iu bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare të NATO-s dhe ambasadave që të marrin masa lidhur me situatën, duke e konsideruar atë si një çështje që prek sigurinë kombëtare. “I bëj thirrje vendeve anëtare të NATO-s, ambasadave, të marrin masa se çfarë ka ndodhur, se është cenuar siguria jonë kombëtare. Kjo është njollë për shqiptarët”, deklaroi deputetja.
Tabaku e cilësoi situatën si jo të izoluar dhe e lidhi atë me atë që ajo e quajti “sistemi i Ramës”. “Ky nuk është rast i izoluar, por sistemi i Ramës. Këtu ka ardhur KAYO, AKSHI, që po vjedh gjithçka. E ka nxjerrë shtetin zgrëdhaq”, u shpreh ajo.
Në fund, Tabaku kërkoi që Kuvendi të mblidhet për të diskutuar se çfarë mund të bëhet për të rikuperuar imazhin e Shqipërisë. “Ky Kuvend duhet të ngrihet në lartësinë që kërkojnë qytetarët. Ajo protestë jashtë është kundër çdo vendimi që bie ndesh me imazhin e Shqipërisë. Duhet të mbledhim Kuvendin se çfarë mund të rikuperohet me imazhin e Shqipërisë, çfarë është cenuar, çfarë është ndjekur. Ndaj, përndryshe, ulni kokat dhe ngrini kartonat”, përfundoi Tabaku.
