Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka mbajtur një fjalim me tone të ashpra në Kuvend, ku u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Socialiste që të reagojnë lidhur me zhvillimet që ai i cilësoi si një “histori krimi dhe korrupsioni”.
Gjekmarkaj deklaroi se situata, sipas tij, nuk mund të trajtohet si një çështje e zakonshme politike, duke akuzuar mazhorancën se po hesht përballë zhvillimeve të fundit.
“Unë nuk e di ku e gjeni kurajën, zoti kryetar, zotërinj ministra, zotërinj deputetë të Partisë Socialiste, që sot keni fuqi të flisni. Ku e gjeni forcën që keni fuqi të duartrokisni?”, u shpreh ai.
Deputeti demokrat kërkoi që në Kuvend të zhvillohet debat për çështjen, duke e lidhur atë edhe me sigurinë kombëtare dhe pozicionin e Shqipërisë në NATO.
“Një nga ngjarjet më të mëdha për të cilat kombi shqiptar ka luftuar 100 vjet është futja e Shqipërisë në NATO. Sot Shqipëria është e paragjykuar; Shqipëria është e keqparë; Shqipëria rrezikon shumë në raport me NATO-n, me sigurinë e vet, me fqinjët, me krejt dinjitetin e vet kombëtar”, tha Gjekmarkaj.
Ai iu drejtua gjithashtu deputetëve socialistë me një thirrje për të reaguar dhe për të kërkuar që çështja të trajtohet në Kuvend.
“Ndaj, thirrja ime është: duajeni pak më shumë Shqipërinë, duajeni pak më shumë vetveten, duajeni pak më shumë familjet tuaja dhe reagoni ashtu siç ju ka hije për ta shpëtuar vendin nga kjo mortajë që ka rënë”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës, Gjekmarkaj u shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj deputetëve të mazhorancës:
“Nëse s’kuptoni këtë, nuk kuptoni asgjë, nuk jeni më deputet, jeni thjesht kartona pa dinjitet.”
Deklaratat e Gjekmarkajt vijnë në një kohë kur në Kuvend dhe në diskursin politik janë ngritur akuza lidhur me çështje që prekin funksionimin e institucioneve dhe sigurinë kombëtare.
