Këshilli Bashkiak i Prrenjasit ka votuar sot në unanimitet kundër bashkimit të kësaj bashkie me Bashkinë e Librazhdit, në kuadër të procesit për reformën e re Administrativo-Territoriale.
Në mbledhjen e thirrur për të marrë një qëndrim mbi propozimin për hartën e re territoriale, morën pjesë 17 anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe të gjithë votuan kundër bashkimit me Librazhdin. Në votim nuk pati asnjë votë pro.
Gjatë mbledhjes u bë publik edhe raporti i dëgjesave të zhvilluara me qytetarët. Sipas të dhënave të paraqitura, nga 400 qytetarë që morën pjesë në konsultimet publike, 398 u shprehën kundër bashkimit me Librazhdin, ndërsa vetëm 2 votuan pro.
Drafti i propozuar nga mazhoranca për reformën Administrativo-Territoriale parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend, nga 61 në 46, përmes shkrirjes ose bashkimit të 15 bashkive ekzistuese me bashkitë fqinje.
Ndërkohë, opozita e ka kundërshtuar propozimin për ndarjen e re territoriale, duke e cilësuar procesin si të njëanshëm.
Votimi i hartës së re territoriale në Kuvend është parashikuar të zhvillohet në seancën plenare të 8 tetorit.
