Deputetja Jozefina Topalli ka kritikuar nga foltorja e Kuvendit kryetarin e Parlamentit, Niko Peleshi, për qëndrimin e tij lidhur me çështjen e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masë sigurie në kuadër të një hetimi penal.
Topalli deklaroi se Peleshi, si numri dy i Republikës, duhet të mbajë një qëndrim publik për situatën dhe akuzat që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH.
“Kush e mbron Republikën, kur këta që duhet ta mbrojnë janë në mbrojtje të krimit? Krimi mund të përballet me kriza politike institucionale, po kur shembet themeli i Republikës, shteti ka pushuar së ekzistuari. Është zhdukur kufiri i shtetit dhe krimit të organizuar”, u shpreh Topalli.
Duke vijuar fjalën e saj, deputetja e cilësoi situatën si pjesë të një agjende që, sipas saj, ka nisur prej vitesh. Ajo riktheu edhe pretendimet për fikjen e radarëve nga Ministria e Mbrojtjes, duke e lidhur këtë me urdhra të Kryeministrit.
“Ju mund të jeni të rinj, por kjo që ndodh sot që nuk është shteti i kapur, po shteti i mafies, ka një agjendë që ka filluar shumë vite përpara, kur aty ishin njerëz që kishin problem me krimin, kur radarët fikeshin nga Ministria e Mbrojtjes me urdhër të Kryeministrit”, deklaroi Topalli.
Në vijim, ajo iu drejtua drejtpërdrejt kryetarit të Kuvendit, duke i kërkuar të largohet nga posti.
“Shtet i rrezikshëm, por ju jeni numri 2 i Republikës Parlamentare dhe deri më sot nuk ta kam dëgjuar të flisni një fjalë. Të sugjeroj një rrugë të shkurtër, ka mundësi që kryetari i Parlamentit të japë dorëheqjen. Do ishte një dalje fisnike”, tha Topalli.
