Pas deklaratës së Presidentit Donald Trump, Presidenti kinez Xi Jinping ka mbajtur fjalën e tij gjatë vizitës shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, duke konfirmuar vullnetin e Pekinit për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe për të mbajtur një dialog të hapur me Uashingtonin.

Xi e nisi fjalën e tij duke shprehur mirënjohjen për prpritjen zyrtare dhe duke i drejtuar një urim të veçantë popullit amerikan për përvjetorin e rëndësishëm kombëtar.

“Jam shumë i lumtur që po zhvilloj këtë vizitë shtetërore në Shtetet e Bashkuara të bukura. Falënderoj familjen Trump për mikpritjen e tyre dhe i uroj ata për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së. Si Kina ashtu edhe SHBA-ja janë vende të shkëlqyera me njerëz të shkëlqyer. Po vizitoj SHBA-në për të vazhduar miqësinë dhe për të zgjeruar bashkëpunimin.”

Udhëheqësi i Kinës theksoi rolin kritik që dy fuqitë më të mëdha ekonomike dhe ushtarake kanë në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar një kornizë pune të qëndrueshme e afatgjatë.

“Kina dhe SHBA-të, si dy vende të mëdha, tregojnë përgjegjësinë e tyre historike për të çuar përpara zhvillimin dhe progresin njerëzor. Jam gati të punoj me Presidentin Trump për të drejtuar anijen gjigante të marrëdhënieve Kinë-SHBA drejt një të ardhmeje të qëndrueshme. Të dyja vendet duhet të forcojnë komunikimin e tyre.”

Në përmbyllje të prononcimit të tij, Xi pranoi dallimet ekzistuese mes dy sistemeve, por nënvizoi se interesat e dy popujve janë thellësisht të ndërthurura.

“Kina dhe SHBA-të janë të ndryshme, por nëpërmjet dialogut të sinqertë, të thellë dhe të vazhdueshëm, dy vendet tona mund ta kuptojnë më mirë njëra-tjetrën dhe të ndërtojnë besim të ndërsjellë. Ne duhet të bashkëpunojmë me sinqeritet, pasi interesat tona janë thellësisht të ndërthurura. Ndonëse bashkëpunimi midis dy vendeve mund të mos zgjidhë çdo problem në botë, pa të do të ishte mjaft e vështirë të zgjidheshin shumë nga problemet e botës,” përfundoi Presidenti Xi Jinping.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb