Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ka bërë thirrje SPAK-ut që të publikojë të dhënat dhe materialet e plota që lidhen me çështjet e AKSHI-t, Vlorës Hyseni dhe Ergys Agasit. Deklaratat u bënë në emisionin “Minuta e Parë” në News24, gjatë intervistës me gazetaren Ola Bruko, ku Këlliçi foli edhe për protestat dhe kërkesat e qytetarëve.

“Po ju e keni kërkuar me kohë qeverinë grup kriminal, patjetër, për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi dhe për të thënë: shiko, po, ja, po doja këtë, po kërkon. Po, dhe po e kërkon në thelb edhe ajo protestë. Po të shihni dhe katër ligje që ato kërkojnë të anulohen, janë betejat parlamentare të Partisë Demokratike. Ligjin për zonat e mbrojtura në Gjykatën Kushtetuese e ka çuar PD-ja. Ligjin për investitorët strategjikë në gjykatë e ka çuar PD-ja. Patjetër, sot janë pjesë e diskutimit të qytetarëve në shesh dhe të kësaj lloj opozite, që është një opozitë shumë e bukur për vendin dhe është e mirëpritur, pa diskutim. Por në asnjë moment nuk mund të dalë dikush dhe të thotë që kanë dalë sot këto probleme. Këto janë të gjitha të dokumentuara vite me radhë nga Partia Demokratike. Dhe thonë qytetarët e sheshit, pavarësisht se nuk ka faj PD-ja që të ka kapur Edi Rama Gjykatën Kushtetuese. Nuk ta ka fajin PD-ja që në Gjykatën Kushtetuese ka gjyqtarë që shkojnë te Ergys Agasi. Nuk ta ka fajin PD-ja që në Gjykatë të Lartë ka gjyqtarë që shkojnë te Ergys Agasi.

Kush janë këta? Jemi qartë. Duhet ta shihni, duhet ta shihni, duhet ta shihni. Dhe kjo është një thirrje e drejtpërdrejtë për SPAK-un. Nëse SPAK-u ka një shans historik për të bërë ndryshimin dhe për të bërë një pastrim total të të gjithë atyre që janë të inkriminuar, të korruptuar dhe të kapur nga grupet kriminale dhe në afera korruptive, të bëjë publike dosjen e plotë të AKSHI-t dhe dosjen e plotë të Vlorës Hysenit dhe të Ergys Agasit dhe do të shihni aty se çfarë bëhet. Implikimin e politikës, implikimin e gjyqtarëve, implikimin e prokurorëve. Jo, edhe kur kam mbajtur qëndrime për SPAK-un kam thënë përherë: jo të gjithë prokurorët janë njëlloj. Ka prokurorë që kanë axhendë politike, ka prokurorë që bëjnë detyrën. Jo të gjithë gjyqtarët janë njëlloj. Ka gjyqtarë që zbatojnë ligjin, ka gjyqtarë që raportojnë te krimi i organizuar. Ama ka ardhur momenti që ky shërbim t’i bëhet vendit dhe t’i bëhet kombit. Nuk di t’ju them, por kam një besim për shkak të një sensitiviteti shumë të lartë të kësaj çështjeje dhe faktit që Vlora Hyseni ka mbajtur pozicionin më të lartë në hierarkinë e sigurisë kombëtare dhe të sigurisë së qytetarëve shqiptarë. Kam përshtypjen që do të jenë të detyruara në këtë rast organet ligjzbatuese shqiptare për të bërë transparencë, sepse flitet për një rast të paprecedentë. Mos harroni, ndalimi në detyrë dhe pezullimi në detyrë dhe lëshimi i një mase sigurie për një drejtues të Shërbimit Informativ Shtetëror të një vendi është hera e parë që kjo ndodh në Europë dhe në botë. Nuk ka ndodhur askund. Ka ndodhur me drejtues të tjerë të shërbimeve, por ka ndodhur pasi kanë ikur nga detyra. Në detyrë kjo nuk ka ndodhur për asnjë.
Uroj që, siç ishte rasti i Vlorës Hyseni, të jetë dhe rasti i Edi Ramës.”, tha ai.

Në fund të intervistës, Këlliçi u pyet edhe për mundësinë që Sali Berisha të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Nuk kam informacion. Të them të vërtetën, nuk kam informacion. Por është qesharake të pretendosh, domethënë, nga Bajram Begaj që të mbajë një qëndrim dinjitoz apo një qëndrim në shërbim të interesit kombëtar. Është një mision i pamundur. Bajram Begaj, në gjykimin tim, do të mbetet presidenti më i dobët në historinë e Republikës së Shqipërisë dhe ushtari më i bindur që ka pasur ndonjë kryeministër ndonjëherë në atë detyrë.”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: