Fatmira Nikolli
“Turp e para”, filmi nga Kosova që po korr sukses ndërkombëtar në festivale të mëdha, u shfaq për publikun shqiptar, në kuadër të TIFF. Me regji të Visar Morinës, drama sociale, rrëfen historinë e një familjeje nga Kosova, e cila përballet me vështirësi ekonomike dhe sfidat e ruajtjes së dinjitetit përballë pabarazive sociale.
Producenti Dritan Huqi, foli me krenari për bashkëpunimin në dy anët e kufirit dhe mënyrën se si është pritur filmi kudo ku është shfaqur, përfshirë Shqipërinë.
“Shame and Money” ndjek jetën e Shabanit dhe Hatixhes, të interpretuar nga aktorët Astrit Kabashi dhe Flonja Kodheli, të cilët detyrohen të lënë jetën e tyre në fshat dhe të nisin një kapitull të ri në kryeqytet. Por qyteti nuk u ofron shpëtimin që kërkojnë. Përkundrazi, i vendos përballë një bote ku puna, paratë dhe dinjiteti njerëzor fillojnë të maten me të njëjtën monedhë. Morina ndërton kështu një dramë sociale që nis nga një familje kosovare, por shumë shpejt e kapërcen kufirin e saj gjeografik.
“Shame and Money” është një film për varfërinë, por edhe për turpin që prodhon varfëria; për nevojën për të kërkuar ndihmë dhe plagën që kjo i shkakton krenarisë; për një shoqëri ku mbijetesa mund të kthehet në një provë të përditshme të dinjitetit.
