Protesta kundër qeverisë vijon me tone të ashpra, ndërsa aktivisti Edison Lika deklaroi se kërkesa e protestuesve ndaj kryeministrit Edi Rama nuk do të jetë më dorëheqja, por arrestimi i tij.
Duke folur gjatë protestës, Lika tha se nga sot protestuesit do t’i drejtohen Ramës vetëm me thirrjen “Arrestoni Ramën”.
“Nga sot i themi Ramës: Koha për dorëheqje ka mbaruar. Do të thërrasim vetëm: Arrestoni Ramën”, deklaroi Lika.
Ai shtoi se, sipas tij, kryeministri nuk do ta përfundojë karrierën politike me dorëheqje, por “me pranga”.
“Nuk do të jetë aq me fat sa ta mbyllë karrierën e tij politike me dorëheqje, do ta mbyllë në pranga”, u shpreh aktivisti.
Deklarata e Likës vjen në kuadër të protestave të vijueshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ku protestuesit kanë shprehur kërkesa dhe akuza të ndryshme ndaj qeverisë.
