Një 57-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Drithas të Maliqit, pasi dyshohet se shiste kokainë në lokalin që kishte marrë me qira.
Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit të koduar “Drithas”, pas disa javësh hetime me metoda proaktive nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve.
Gjatë kontrollit në lokal, policia gjeti një sasi kokaine të ndarë në doza dhe të gatshme për shitje. Një sasi tjetër e lëndës së dyshuar narkotike, së bashku me një peshore elektronike, u sekuestrua në banesën e 57-vjeçarit.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Njoftimi i policisë
DVP Korçë
Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Drithas”.
Shiste kokainë në lokalin që kishte marrë me qira, arrestohet në flagrancë 57-vjeçari.
Sekuestrohen sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, 1 peshore elektronike dhe 1 celular.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda speciale, për disa javë, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike në fshatin Drithas, finalizuan operacionin e koduar “Drithas”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. B., 57 vjeç, banues në fshatin Drithas, Maliq.
Gjatë kontrollit në lokalin që ky shtetas kishte marrë me qira, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi tjetër lënde e dyshuar narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
