Dy persona janë proceduar penalisht në Korçë pasi u kapën duke shitur bizhuteri argjendi, të cilat dyshohet se ishin kontrabandë dhe nuk shoqëroheshin me dokumentacion.
Operacioni policor i koduar “Silver” është finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas një hetimi të kryer me metoda proaktive. Në kuadër të operacionit janë proceduar penalisht shtetasit Edvald Mesiti dhe Spartak Pellumbi, të dy banues në Tiranë.
Sipas Policisë, dy shtetasit janë kapur në shëtitoren “Shën Gjergji”, në qytetin e Korçës, teksa shisnin bizhuteri argjendi pa lëshuar fatura tatimore. Gjatë ndërhyrjes, në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar 27 kilogramë bizhuteri të ndryshme argjendi, të cilat nuk kishin asnjë dokument shoqërues.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës apo faturës tatimore”.
