Kryeministri Edi Rama ka folur për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një moment kur qeveria dhe institucionet janë përballur me një seri zhvillimesh që kanë prodhuar debat të fortë politik.
Në sfond janë çështjet që lidhen me Belinda Ballukun, Ergys Agasin dhe skandalin e SHISH, ndërsa Rama zgjodhi t’i paraqesë zhvillimet e drejtësisë si dëshmi se sistemi institucional tashmë është duke luftuar korrupsionin.
Kreu i qeverisë tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte pjesë e diskutimeve të zhvilluara me Von der Leyen, duke e cilësuar këtë një pikë të palëvizshme të agjendës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
“Kemi folur edhe për bilancin e përpjekjes madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është pikë e palëvizshme e agjendës sonë dhe agjendës së BE-së në tërësi, por për vendet kandidate në veçanti”, deklaroi Rama.
Në vijim, kryeministri përsëriti tezën që kishte artikuluar edhe pak ditë më parë, pas shpërthimit të skandalit në SHISH, duke argumentuar se ndryshimi që ka ndodhur në Shqipëri qëndron pikërisht te fakti se institucionet e drejtësisë tashmë godasin korrupsionin.
“Bashkërisht kemi konstatuar se është e qartë për Shqipërinë se, nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”, tha Rama.
Kjo është e njëjta tezë që kryeministri përdori më 27 shtator, kur foli publikisht pas zhvillimeve që përfshinë ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni. Edhe atëherë Rama deklaroi se korrupsioni vazhdon të jetë një problem, por argumentoi se ndryshimi qëndron te ekzistenca e institucioneve që hetojnë, akuzojnë dhe gjykojnë në mënyrë të pavarur.
