Franca po përballet me presion në rritje në tregjet financiare, ndërsa rritja e normave të interesit po shton kostot e huamarrjes dhe po e vështirëson menaxhimin e borxhit publik. Vendi, që për vite është konsideruar një prej ekonomive kryesore dhe më të qëndrueshme të Evropës, po përballet tashmë me një situatë të ndjeshme fiskale. Sipas raportimeve të Wall Street Journal, shitja graduale e obligacioneve qeveritare franceze javën e kaluar mori përmasa më shqetësuese dhe ndikoi edhe në tregjet e tjera evropiane. Rendimenti i obligacionit 10-vjeçar francez është afruar në 5%, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2002.
Problemi kryesor lidhet me koston në rritje të financimit të shtetit. Franca duhet të rifinancojë një pjesë të konsiderueshme të borxhit të marrë gjatë viteve kur normat e interesit ishin jashtëzakonisht të ulëta. Mbi 1 trilion dollarë borxhe pritet të maturohen deri në vitin 2030, ndërsa vetëm vitin e ardhshëm qeveria franceze pritet të emetojë një rekord prej rreth 380 miliardë dollarësh në obligacione. Ndërkohë, disa prej burimeve tradicionale të kërkesës për borxhin francez janë dobësuar. Banka Qendrore e Francës nuk po blen më obligacione qeveritare dhe po lejon tkurrjen e portofolit të saj përmes maturimit të titujve. Edhe disa investitorë të huaj, përfshirë menaxherë japonezë të aseteve, janë tërhequr nga tregu.
Presioni po reflektohet edhe në koston e shërbimit të borxhit. Sipas një studimi të porositur nga Ministria Franceze e Financave, kjo kosto pritet të rritet me 59% deri në vitin 2030. Pagesat për borxhin janë tashmë ndër zërat më të mëdhenj të shpenzimeve shtetërore dhe mund të tejkalojnë shpenzimet ushtarake deri në fund të dekadës.
Në të njëjtën kohë, borxhi publik francez është pranë 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shtuar shqetësimet për aftësinë e vendit për të përballuar kostot e ardhshme të financimit. Analistët paralajmërojnë se kombinimi i borxhit të lartë, deficitit të konsiderueshëm dhe normave më të larta të interesit mund të krijojë presion të mëtejshëm mbi financat publike franceze. Situata po ndiqet me kujdes edhe nga investitorët, pasi një përkeqësim i tregut francez të obligacioneve mund të ketë pasoja më të gjera për tregjet financiare të eurozonës.
