Budapesti zyrtar ka ndërmarrë një hap domethënës drejt uljes së tensioneve me Kievin, duke hequr këtë të mërkurë veton ndaj hapjes së dy kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Ky vendim i jep një impuls të ri procesit të integrimit evropian të Ukrainës, si dhe Moldavisë, negociatat e së cilës zhvillohen në mënyrë paralele.
Megjithatë, përparimi përfundimtar mbetet i kushtëzuar nga miratimi në parlamentin ukrainas (Verkhovna Rada) i një ligji që forcon të drejtat arsimore, kulturore dhe gjuhësore të pakicave kombëtare, veçanërisht të komunitetit prej rreth 100 mijë hungarezësh etnikë në rajonin e Transkarpatisë.
Pas një marrëveshjeje teknike të arritur mes palëve, parlamenti ukrainas pritet ta votojë projektligjin të hënën. Nëse Kievi e kalon këtë ligj, Hungaria do të japë dritën e gjelbër zyrtare për hapjen e Kapitullit 2 dhe 3 (që mbulojnë tregun e brendshëm dhe konkurrueshmërinë) gjatë mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg të martën e ardhshme.
Gjithashtu, Budapesti lejoi nisjen e përgatitjeve teknike për letrat zyrtare që Këshilli i BE-së do t’i dërgojë Ukrainës, një procedurë formale që më parë mbahej e bllokuar prej tij.
Hapja e rrugës për Ukrainën koincidon edhe me lëvizje financiare në Bruksel. Vendet anëtare të BE-së pritet të miratojnë zhbllokimin e një pakete prej 4.2 miliardë eurosh nga fondet e kohezionit për Hungarinë, të cilat ishin ngrirë më parë për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit.
Marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan ndryshim pas ardhjes në pushtet në maj të Kryeministrit Péter Magyar, i cili zëvendësoi linjën e ashprë të ish-kryeministrit Viktor Orbán me një qasje më pragmatike. Ndorshta marrëveshja e re mund t’i hapë rrugë edhe takimit të parë zyrtar dypalësh mes kryeministrit Péter Magyar dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Pavarësisht përparimit diplomatik, mjedisi politik mbetet i ndjeshëm. Muajt e fundit nuk kanë munguar përplasjet publike mes zyrtarëve të të dy vendeve, përfshirë një debat të ndjeshëm pas përfshirjes në një “listë të zezë” ukrainase të futbollistit hungarez Milos Kerkez dhe deputetit Balázs Hidvéghi, ngjarje kjo që pasoi tensionet në ndeshjen futbollistike mes kombëtareve të të dy vendeve në Budapest.
Pavarësisht këtyre episodeve, synimi i Komisionit Evropian mbetet që Ukraina të arrijë të hapë të gjithë kapitujt kryesorë të negociatave deri në fund të këtij viti.
