Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka theksuar rëndësinë e forcimit të aleatëve të SHBA-së në Evropë, duke nënvizuar se fuqia e vendeve anëtare ndikon drejtpërdrejt edhe në forcën kolektive të NATO-s. Duke folur me gazetarët në hotelin “Eleftherios Venizelos”, përpara nisjes të enjten në mëngjes drejt Portugalisë, ndalesa e fundit e turneut të tij evropian, Rubio deklaroi se SHBA-ja dëshiron një Evropë të fortë dhe partnerë të besueshëm.

“Ne duam që aleatët tanë të jenë të fortë. Sa më të fortë të jenë ata, aq më të fortë jemi ne kolektivisht (…) Ne duam një Evropë të fortë. Ne duam partnerë të besueshëm në Evropë”, u shpreh Rubio, sipas agjencisë italiane Ansa. “Sa më të fortë të jenë anëtarët individualë të NATO-s – socialisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht – aq më e fortë është NATO”, shtoi ai.

Që prej fillimit të mandatit të dytë të administratës Trump, SHBA-ja u ka bërë thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Rubio vlerësoi gjithashtu përpjekjet e disa vendeve evropiane, duke përmendur në mënyrë të veçantë Gjermaninë.

“Shumë vende kanë shtuar përpjekjet e tyre. Sinqerisht, gjermanët po bëjnë pjesën e tyre për të forcuar veten”, tha ai.

Sipas Rubio-s, në disa fusha po shfaqen shenja pozitive, ndërsa pranoi se disa vende po ecin më ngadalë për shkak edhe të presioneve të brendshme. “Mendoj se ka shenja pozitive në shumë fusha të ndryshme ku kjo po ndodh. Dhe sigurisht që ka disa vende që po ecin më ngadalë, dhe e di që ka shumë presione të brendshme. Por mendoj se kjo është në dobi të të gjithëve”, përfundoi Sekretari amerikan i Shtetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: