Princi Harry ka rrëfyer se ra në depresion për rreth dy javë pasi u largua nga Britania e Madhe dhe u zhvendos në Kanada në vitin 2019, përpara se të transferohej më vonë në SHBA me bashkëshorten e tij, Meghan Markle.
Duka i Sussex tha se fillimisht ishte larguar nga Britania për të krijuar hapësirë dhe për t’u shkëputur nga një mjedis që e kishte përjetuar si stresues. Sipas tij, vetëm pak ditë pasi mbërriti në Kanada, përjetoi një rënie të fortë të adrenalinës, pasi trupi i tij ishte mësuar me një nivel të lartë stresi.
“Brenda dy ose tre ditësh përjetova një rënie të adrenalinës, diçka që nuk e kisha përjetuar më parë”, tha Harry, duke shtuar se për një periudhë ndihej i paaftë të funksiononte normalisht. “Në fakt, rashë në depresion për rreth dy javë dhe ndihesha sikur nuk mund të funksionoja pa adrenalinë”, rrëfeu ai.
Harry foli gjithashtu për mënyrën se si e ka përjetuar vdekjen e nënës së tij, Princeshës Diana, e cila humbi jetën në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Ai tha se për vite me radhë ishte ndier emocionalisht i mpirë, pasi kishte pasur ndjesinë se do të ishte i pabesë ndaj nënës së tij, nëse do të ishte i lumtur pa të.
“Ndihesha sikur duhej të isha i trishtuar dhe emocionalisht i mpirë për t’i treguar se më mungonte”, tha ai.
Duka i Sussex tregoi se në të 20-at e tij shkoi dy herë në luftë në Afganistan, duke menduar se mund t’u shpëtonte ndjenjave që e rëndonin, por më vonë kuptoi se kjo nuk ishte zgjidhja.
Rrëfimet e tij u bënë gjatë një masterclass-i online me pagesë mbi përballimin e dhimbjes dhe humbjes, në një bisedë me një neuroshkencëtar.
Harry dhe vëllai i tij, Princi Uilliam, kanë folur publikisht edhe më herët për vështirësitë e tyre emocionale pas vdekjes së nënës dhe janë të përfshirë në iniciativa për shëndetin mendor.
