Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka konfirmuar më 9 tetor se në vendin e tij janë arrestuar disa shtetas rusë, mes tyre edhe Mikhail Zvinchuk, themelues i rrjetit rus Rybar. Në një postim në rrjetet sociale, Spajiq e cilësoi aksionin të suksesshëm dhe theksoi se prej kohësh është paralajmëruar se përpjekjet për veprimtari hibride dhe destabilizimin e Malit të Zi e shoqërojnë vazhdimisht rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. “Ky nuk është momenti për deklarata të nxituara, por as për përfundime naive. Ekzistojnë indicie serioze që kërkojnë shqyrtimin e kujdesshëm të çdo gjurme dhe vlerësimin e çdo lidhjeje në një kontekst më të gjerë. Nuk do të bëjmë publike ato që duhet të mbeten në domenin e shërbimeve të sigurisë”, shkroi ai.

Sipas tij, mesazhi pas aksionit të suksesshëm të sotëm konfirmon se institucionet po e bëjnë punën e tyre. “Mali i Zi mbron interesat e veta dhe askush nuk do ta rrezikojë të ardhmen tonë evropiane”, deklaroi Spajiq. Mediat malazeze raportuan paraprakisht se Policia e Malit të Zi dhe Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB) e këtij shteti zhvilluan një aksion në Risan, të premten në mëngjes, gjatë të cilit u arrestuan pesë persona që dyshohet se janë të lidhur me rrjetin rus Rybar.

Nga Rybar konfirmuan më vonë në Telegram se themeluesi i këtij rrjeti, Mikhail Zvinchuk, është ndaluar në Mal të Zi, së bashku me shtetas të tjerë rusë. Në një postim në kanalin e tij në gjuhën angleze, Rybar tha se të gjithë të ndaluarit “qëndronin ligjërisht në Mal të Zi dhe se ishte planifikuar filmimi i Manastirit të Cetinës, për të cilin ishte paraqitur më herët një kërkesë zyrtare”.

Rybar tha se ekipi i tij është në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila po punon për zgjidhjen e situatës, duke pretenduar se “nuk është shkelur asnjë ligj i Malit të Zi”. Rybar është një rrjet mediatik dhe informativ rus, i themeluar në vitin 2018 nga Mikhail Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për media të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë. Gjatë luftës në Ukrainë, Rybar u bë një nga kanalet më me ndikim ushtarake proruse në Telegram.

Zvinchuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2023, për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përhapjes së propagandës.

Bashkimi Evropian thotë se ai është anëtar i një grupi pune të formuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit në lidhje me luftën kundër Ukrainës. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë lidhur Rybar-in me operacionet e ndikimit të huaj dhe luftën informative. Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit Rewards for Justice, ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e lidhur me projektin Rybar, duke përmendur dyshimet se rrjeti kishte marrë pjesë në operacione të ndikimit të huaj. Vitet e fundit, rrjeti i ka zgjeruar aktivitetet edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: