Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Livoç të Ulët, në Komunën e Gjilanit, në Kosovë. Ngjarja e rëndë është regjistruar këtë të premte, ndërsa i dyshuari është dorëzuar në polici.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:25. Në vendin e ngjarjes, brenda një automjeti, është gjetur i vrarë një burrë rreth 30 vjeç.

Ndërkohë, një grua po ashtu rreth 30 vjeçe është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit pa shenja jete. Dyshohet se edhe ajo është vrarë me armë zjarri nga i njëjti person.

Një tjetër person ka mbetur i plagosur dhe, pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, mes të dyshuarit dhe viktimave dyshohet se ekziston një lidhje familjare. Megjithatë, motivi që çoi në këtë ngjarje të rëndë mbetet ende i paqartë.

Në vendngjarje kanë mbërritur njësitë përkatëse policore dhe dy prokurorë të Shtetit. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa ka sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në krim.

Hetimet vijojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, për të përcaktuar motivin dhe për të dokumentuar rastin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb