Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) miratoi zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet më 13 tetor 2026, në Luksemburg. Në këtë konferencë pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”.
Ky vendim shënon një tjetër arritje në rrugën evropiane të Shqipërisë dhe reflekton vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian dhe të shteteve anëtare për rezultatet e reformave në fushën e industrisë dhe sipërmarrjes. Ai njeh përparimin në përafrimin me politikat dhe standardet evropiane, si dhe forcimin e kapaciteteve për zbatimin efektiv të politikave që mbështesin biznesin, konkurrueshmërinë dhe transformimin industrial.
Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.
Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira evropiane.
Mbyllja e përkohshme e negociatave për këtë kapitull do të konfirmojë përparimin e Shqipërisë në ngritjen e kuadrit strategjik, institucional dhe rregullator për zbatimin e politikave industriale dhe të zhvillimit të sipërmarrjes, në përputhje me orientimet e Bashkimit Evropian.
Ky rezultat përbën një sinjal të rëndësishëm besimi për investitorët, komunitetin e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për qytetarët dhe bizneset shqiptare, ai krijon perspektiva më të mira për investime, inovacion, rritje ekonomike dhe punësim, duke e afruar ekonominë shqiptare me mundësitë që ofron Tregu i Vetëm Evropian.
Me formalizimin e këtij hapi më 13 tetor, Kapitulli 20 do të jetë kapitulli i katërt i negociatave që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve.
“SHQIPËRIA MBYLL KAPITULLIN E PARË. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
