Presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur vendimin e raportuar të Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, për ekzekutimin me pushkatim të Nidal Malik Hasan, autorit të sulmit të përgjakshëm në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas, në vitin 2009.
Sipas gazetës “New York Post”, Trump deklaroi se Hasan e meriton dënimin me vdekje për vrasjen e ushtarakëve amerikanë. Megjithatë, raportimi mbi deklaratat e presidentit është kundërshtuar nga agjencia e lajmeve Reuters.
“Dënim me vdekje me pushkatim, dhe ai e meriton. Ai vrau dhe plagosi shumë njerëz. Një maniak”, citohet të ketë thënë Trump, sipas “New York Post”.
Më 5 nëntor 2009, Nidal Malik Hasan, atëherë major dhe psikiatër në ushtrinë amerikane, hapi zjarr brenda një ndërtese të shërbimeve shëndetësore në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas.
Sulmi la 13 persona të vrarë dhe 32 të plagosur. Hasan u shpall fajtor për 13 akuza për vrasje me paramendim dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje me paramendim, ndërsa në vitin 2013 u dënua me vdekje.
Gjatë sulmit, ai përdori një pistoletë dhe, sipas raportimeve, thirri “Allahu Ekber”. Më vonë, ai deklaroi se kishte vepruar për të penguar forcat amerikane të shkonin në Afganistan dhe të vrisnin myslimanë.
Sipas raportimit të “New York Post”, zyrtarët e Pentagonit kanë konfirmuar se ekzekutimi me pushkatim është planifikuar për 3 dhjetor në Fort Hood. Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, ka deklaruar se ekzekutimi do të transmetohet drejtpërdrejt në internet, në mënyrë që publiku të mund ta ndjekë.
“Ne do të sigurohemi që njerëzit të mund ta shikojnë, që të jetë publik, sepse njerëzit duhet të kuptojnë se veprime të tilla kanë pasoja serioze”, citohet të ketë thënë Hegseth.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte një rast i rrallë i ekzekutimit të një ushtaraku amerikan me pushkatim. Sipas të njëjtit raportim, ekzekutimi i fundit ushtarak me këtë metodë daton në Luftën e Dytë Botërore.
