Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar ankimin e tij kundër dënimit me një vit burg. Salianji deklaron se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të kërkuar drejtësi dhe se hapi i radhës do të jetë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Në reagimin e tij, ai kritikoi kohën që, sipas tij, Gjykata Kushtetuese mori për shqyrtimin e çështjes, duke pretenduar se zvarritja e procesit e pengoi të ndiqte më herët rrugën ligjore drejt Strasburgut. Salianji shprehet gjithashtu se nuk pajtohet me arsyetimin e vendimit, sipas të cilit liria e shprehjes është cenuar, por masa e dënimit është proporcionale.
Ish-deputeti akuzon gjithashtu gjyqtarë për cenim të pavarësisë së drejtësisë, duke pretenduar se emërimet me probleme dhe ndikimet e paligjshme dëmtojnë besimin te sistemi gjyqësor.
“Sot nuk mbyllet beteja ime. Sot ajo merr një drejtim tjetër: Gjykatën e Strasburgut”, deklaron Salianji.
Reagimi:
Gjykata Kushtetuese per 2 vjet me radhë e vonoi çështjen time. E paralajmërova se kjo do të ndodhte sepse duan të më mbajnë larg zgjedhjeve lokale, dhe zvarritja e deritanishme po pengonte ndjekjen e rrugës ligjore deri në Gjykatën e Strasburgut. Sot, më në fund, dhanë vendimin, edhe pse me arsyetimin absurd se “liria e shprehjes është cenuar, por masa është proporcionale”.
Një logjikë që pranon cenimin e një të drejte, por përpiqet ta justifikojë atë me proporcionalitetin e ndëshkimit! E kam thënë që në fillim: drejtësia nuk mund të jetë e pavarur vetëm në letër. Kur gjyqtarët u nënshtrohen presioneve, shantazheve apo ndikimeve të paligjshme, humb qytetari dhe fiton pushteti. Keshtu ndodh kur gjyqataret emerohen me cene, dikush spiun, dikush me video perverse e dikush tjeter me lidhje me grupet kriminale.
Sot nuk mbyllet beteja ime. Sot ajo merr një drejtim tjetër: Gjykatën e Strasburgut.
Askush nuk m’i kthen ditët e burgut. Askush nuk m’i kthen mandatet e humbura padrejtësisht. Por unë nuk do të heq dorë nga e drejta për të kërkuar drejtësi dhe barazi para ligjit.
Sepse çështja ime nuk është vetëm personale. Është një betejë për këdo që guxon të flasë, të denoncojë dhe të luftojë për interesin publik, pa u kërcënuar nga pushteti dhe pa u ndëshkuar për fjalën e tij. Nuk kerkoj privilegje por drejtesi.
Dhe këtë betejë nuk e bëj për veten time, por për parimin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të ndëshkohet pse lufton për të vërtetën.
