Qindra protestues janë ndaluar në Delhi të Indisë, gjatë një demonstrate të organizuar nga lëvizja rinore “Cockroach Janta Party” (CJP), e cila kërkon reforma zgjedhore dhe dorëheqjen e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Gyanesh Kumar.
Sipas lëvizjes, mes të ndaluarve janë edhe themeluesi Abhijeet Dipke dhe dy drejtues të tjerë, Saurav Das dhe Ashutosh Ranka, të cilët u ndaluan të shtunën, menjëherë pas mbërritjes me avion nga Mumbai. Grupi pretendon se ata janë dërguar në një vendndodhje të panjohur, ndërsa Policia e Delhit nuk ka komentuar ndalimet.
Përpara protestës, autoritetet vendosën në gatishmëri dhjetëra mijëra forca sigurie dhe bllokuan rrugët kryesore të kryeqytetit. Policia nuk kishte dhënë leje për zhvillimin e demonstratës në Jantar Mantar, një nga vendet e njohura për protesta në Delhi. Masat e sigurisë dhe bllokimet rrugore penguan shumë demonstrues të afroheshin pranë zonës së parashikuar për tubimin. Autobusë të mbushur me protestues të ndaluar u panë duke u larguar nga vendi i demonstratës.
Lëvizja CJP, e cila nuk është e regjistruar si parti politike, kërkon ndryshime në sistemin zgjedhor, në një kohë kur India po përgatitet për zgjedhje të rëndësishme në disa shtete. Ajo kërkon gjithashtu dorëheqjen e Gyanesh Kumar, duke e akuzuar për manipulim të listave të zgjedhësve dhe favorizim të Partisë Bharatiya Janata (BJP) të kryeministrit Narendra Modi.
Komisioni Zgjedhor i Indisë i ka mohuar këto akuza, duke argumentuar se procesi i përditësimit të listave është një procedurë rutinë, që synon të heqë nga regjistrat personat e vdekur, regjistrimet e dyfishta dhe zgjedhësit që nuk plotësojnë kriteret. Megjithatë, procesi ka shkaktuar polemika në disa shtete, ku mijëra persona pretendojnë se janë hequr padrejtësisht nga listat.
Përpara mbërritjes në Delhi, Dipke paralajmëroi se kërcënimet me burgim nuk do ta ndalonin lëvizjen. Ndërkohë, Ajinkya Shinde, i caktuar si drejtues i përkohshëm i grupit, u bëri thirrje protestuesve të vijonin demonstratën, duke deklaruar se çdo vend ku policia do t’i ndalonte do të kthehej në Jantar Mantar-in e tyre.
Edhe aktivistja studentore Neha Bora, e cila u ndalua nga policia, u bëri thirrje demonstruesve të mos tërhiqeshin. Një tjetër protestuese, Sabika Muzaffar, i tha BBC-së se ajo dhe nëna e saj ishin përgatitur për t’u ndaluar, madje gjatë rrugës për në protestë kishin mësuar përmendësh numrin e telefonit të avokatit të tyre. Pak minuta pas intervistës, edhe ajo u shoqërua nga policia.
Masat e sigurisë prekën gjithashtu transportin publik, me anulimin e disa trenave që lidhin stacionet kryesore të Delhit dhe mbylljen e dhjetëra stacioneve të metrosë që prej mbrëmjes së së premtes.
