Vllaznia merr frymë pas një starti të vështirë të sezonit. Në një javë të trazuar të shoqëruar me gjoba e bojkote, shkodranët arrijnë që të triumfojnë me rezultatin 1-0 ndaj Dinamos, në duelin e javës së gjashtë të Superiores, duke regjistruar fitoren e parë në kampionat pikërisht në debutimin e trajnerit të ri, Çaba Laszlo.

Heroi i kuqebluve ishte Murataj, i cili me një supergol në pjesën e parë vendosi fatin e kësaj përballjeje. Një realizim që vlejti tri pikë të arta për Vllazninë, e cila kishte nevojë urgjente për një rezultat pozitiv për të lënë pas momentin e vështirë.

Ndryshimi në pankinë duket se ka sjellë sinjalet e para pozitive për shkodranët, që tashmë mund të shohin me më shumë optimizëm vazhdimësinë e kampionatit. Triumfi ndaj një kundërshtari si Dinamo merr edhe më shumë vlerë, pasi rikthen besimin në skuadër dhe qetëson disi situatën në Shkodër.

Në krahun tjetër, Dinamo pësoi humbjen e dytë në gjashtë javët e para të kampionatit. Blutë nuk arritën të shmangnin disfatën dhe tashmë do të kërkojnë reagimin në sfidën e radhës, ku do të presin Teutën.

Pas ndeshjes tekniku hungarez Laszlo u shpreh i kënaqur për 3 pikët, ndërsa theksoi se e njeh fare mire situatën e vështirë dhe problematikat që skuadra e tij po kalon: “Fitorja shëron gjithçka. Ishte shumë e rëndësishme për lojtarët, klubin dhe tifozët. Vinim pas pesë ndeshjesh pa fitore dhe ky ishte një hap i madh përpara. Duhet të falënderoj ekipin, sepse lojtarët nuk e humbën përqendrimin dhe nuk u demoralizuan gjatë ndeshjes. Kjo tregon se kjo skuadër nuk është aq e keqe sa ka treguar renditja deri tani”, theksoi tekniku i shkodranëve.

Për Vllazninë, ndërkohë, prova e radhës do të jetë edhe më e vështirë, pasi shkodranët do të udhëtojnë drejt Rrogozhinës për t’u përballur me Egnatian. Një fitore që mund të shërbejë si pikënisje për ringritjen e kuqebluve nën drejtimin e trajnerit të ri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb