Një avion i kompanisë ajrore Qantas është pezulluar përkohësisht nga fluturimet pas zbulimit të pleshtave të shtratit në kabinën e tij, gjatë një udhëtimi nga Perth, në Australi, drejt Romës, më 9 tetor. Për shkak të pranisë së insekteve, kompania anuloi fluturimin e kthimit drejt Australisë, për të mundësuar pastrimin e plotë të avionit. Insektet u zbuluan në pjesën e përparme të kabinës së klasit ekonomik të një avioni Boeing 787 Dreamliner. Pas mbërritjes në Romë, fluturimi i kthimit për në Perth, i planifikuar për 10 tetor, u anulua, ndërsa ekipet teknike nisën procedurat për pastrimin e thelluar të kabinës.

Një zëdhënës i Qantas deklaroi se problemi ishte konstatuar në një numër të kufizuar vendesh dhe se anulimi ishte i nevojshëm për të kryer ndërhyrjen. Kompania u kërkoi falje pasagjerëve të prekur, të cilëve iu sigurua akomodim dhe u ofrua mundësia për t’u rirezervuar në fluturime të tjera brenda 48 orëve nga nisja e planifikuar fillimisht. Qantas sqaroi gjithashtu se kabinat e avionëve pastrohen rregullisht dhe i nënshtrohen dezinfektimit parandalues çdo 50 ditë.

Profesoresha e parazitologjisë Michelle Power, nga Universiteti Macquarie, vlerësoi se pleshtat e shtratit mund të jenë sjellë në avion përmes bagazheve ose veshjeve të pasagjerëve. Sipas saj, këto insekte mund të përhapen gjatë udhëtimeve, pasi fshihen në valixhe dhe rroba. Një burim i mundshëm janë edhe ambientet e akomodimit, si hotelet, ku mund të ketë prani të tyre. Pleshtat e shtratit ushqehen me gjak dhe, megjithëse nuk konsiderohen transmetues të njohur të sëmundjeve te njerëzit, pickimet e tyre mund të shkaktojnë kruajtje dhe irritim të lëkurës. Eliminimi i tyre mund të jetë i vështirë, pasi mund të qëndrojnë të fshehura për periudha të gjata pa u ushqyer.

Power theksoi se trajtimi kundër këtyre insekteve mund të jetë i kushtueshëm dhe kërkon metoda të përshtatshme, si përdorimi i insekticideve specifike ose trajtimi me temperatura të larta, rreth 55 gradë Celsius. Nuk ka të dhëna të mëtejshme për burimin konkret të insekteve të zbuluara në avionin e Qantas.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: