Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare pranë bregdetit të Bullgarisë, duke paralajmëruar se Deti i Zi është kthyer në një tjetër front të përshkallëzimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, von der Leyen i cilësoi sulmet si të papranueshme, duke theksuar se ato vënë në rrezik jetën e anëtarëve të ekuipazheve dhe kërcënojnë sigurinë detare në rajon.

“Deti i Zi është bërë një tjetër front i përshkallëzimit të luftës ruse në Ukrainë. I dënoj fuqimisht sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare pranë bregdetit të Bullgarisë”, deklaroi ajo.

Kreu i Komisionit Evropian kërkoi gjithashtu që përgjegjësit për sulmet të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës.

Sulmi ndodhi pranë brigjeve bullgare, ku dy anije u goditën nga dronë dhe njëra prej tyre u fundos. Autoritetet bënë të ditur se nga anija e dytë, Chelsea 3, u shpëtuan të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ndërsa pesë prej tyre morën ndihmë mjekësore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb