Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje studentëve, të rinjve dhe qytetarëve që të bashkohen në mbështetje të protestës studentore, pas përplasjeve të dhunshme të regjistruara gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Përmes një reagimi, Berisha dënoi ashpër veprimet e policisë ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato si dhunë barbare. Sipas tij, përgjegjësit për atë që ndodhi duhet të përballen me pasojat e merituara.
Kryedemokrati u bëri thirrje të rinjve dhe studentëve që të mos tërhiqen, ndërsa kërkoi mbështetjen e qytetarëve për kauzën e tyre.
Berisha e konsideroi reagimin e rinisë universitare të rëndësishëm përballë situatës së krijuar, duke theksuar nevojën për solidaritet me studentët që dolën në protestë.
Thirrja e tij vjen pas tensioneve dhe përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë, ku pati të lënduar dhe shoqërime në komisariat.
Kreu i PD-së kërkoi që dhuna ndaj studentëve të mos mbetet pa përgjegjësi, ndërsa ftoi qytetarët të jenë pranë tyre në protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme.
Berisha: Dita e sotme dhe nata ishin dita e dhunës më të egër shtazore të regjimit ndaj rinisë studentore që nga dhjetori ’90 e gjer sot.
Sot ‘Padrino’ i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtroi ndaj studentëve në protestë paqësore, dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90 ndaj studentëve çlirimtarë. Në një akt kriminal dhe pa asnjë motiv, studentë dhe studente, qytetarë të moshave të thyera, gazetare dhe gazetarë që bënin detyrën e tyre u agresuan në mënyrën më barbare.
U thyen gjymtyrët, u gjakosën, u çanë në kokë, u goditën dhe morën plagë në gjoks dhe në gjithë trupin, në dhjetëra e dhjetëra raste. Dëshmitarë okularë kanë dërguar video të cilat faktojnë barbarinë mbi qytetarin duke i thyer gjymtyrët, në kohë kur ai nuk po kryente në mënyrë absolute asnjë akt ndaj askujt, dhe e morën pa ndjenja, e plasën në makinën e tyre.
Të tjerëve, banorëve, u kanë hedhur në ballkon bomba të gazit. Gazetarëve të tjerë u kanë çarë kokën. Situata sonte ishte ajo e një terrori të paparë. Protesta studentore e thirrur nga studentët dhe sindikata e universiteteve mori mbështetje të gjerë popullore nga qytetarët. Dhe Edi Rama, i tmerruar, zgjodhi dhunën e egër ndaj studentëve. Shprehu urrejtjen e tij të pakufishme ndaj tyre. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë dhunë të pashembullt, ftoj të gjithë anëtarët dhe aktivistët e Partisë Demokratike, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet politike, të gjithë prindërit e studentëve dhe çdo të ri të vendit të mbështesin protestën e studentëve dhe kërkesën e tyre për largimin e Edi Ramës nesër, në të njëjtën orë, në orën 14:00, te Ministria e Arsimit.
Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve, ndaj të bashkohemi nesër, studentë, prindër, të rinj, si të pamposhtur, siç qëndruan sot studentët, që si luanë të vërtetë mbrojnë kërkesat e tyre. Shpresoj dhe uroj që kjo dhunë barbare të marrë dënimin e merituar nga e gjithë rinia universitare dhe parauniversitare, por edhe nga ajo në punë. Kjo është fytyra e regjimit ndaj rinisë. Nesër të gjithë në mbështetje të studentëve. Nesër është dita e studentëve dhe e atyre që mbështesin kauzën studentore.
