Qeveria e Italisë ka miratuar zyrtarisht vendosjen e 500 ushtarëve në Milano, si pjesë e një dekreti të ri të sigurisë publike. Roli i ushtrisë mbetet vetëm mbështetës në terren dhe pa të drejta të plota të policisë gjyqësore. Ky vendim erdhi pas protestave të dhunshme të fundjavës, të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë, të cilat filluan si revolta kundër rritjes së kostos së jetesës (çmimet e karburantit, qiratë e larta dhe pagat e ulëta), por që degjeneruan në përleshje me policinë, dëmtime pronash dhe plaçkitje të dyqaneve të luksit në qendër të qytetit.
Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi prerazi:

“Të protestosh është e drejtë, të shkatërrosh qytetet tona jo. Përgjigjja e shtetit duhet të jetë e prerë”. Vendosja e këtyre forcave ushtarake është një masë e përkohshme që do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026”.

Sipas dekretit të miratuar nga Kabineti Italian, Ushtarët do të mbështesin forcat e rendit duke përforcuar sigurinë në pika strategjike dhe duke rritur mbikëqyrjen e zonave të ndjeshme në Milano. Përveç dërgimit të ushtrisë, qeveria Meloni ka miratuar një paketë të gjerë masash ligjore me efekt të menjëhershëm: Policia tashmë ka të drejtë të ndalojë preventivisht të rinjtë e moshës 14 deri në 17 vjeç nëse ka prova se ata përbëjnë rrezik për rendin publik, një kompetencë që më parë zbatohej vetëm për të rriturit. Ky fenomen i revoltave rinore për shkak të inflacionit nuk po prek vetëm Italinë, pasi skena të ngjashme tensionesh janë regjistruar javët e fundit edhe në qytete të tjera evropiane, si në Francë dhe Spanjë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb