Studentët që protestojnë prej 14 ditësh kundër qeverisë së Edi Ramës kanë reaguar ndaj masave të reja ligjore të paralajmëruara nga kryeministri, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Duke folur për mikrofonin e News24 nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit, të rinjtë u shprehën se nuk do t’i nënshtrohen presionit dhe se synimi i tyre kryesor mbetet largimi i Ramës nga pushteti.
“Nuk mund t’i nënshtrohemi presionit të palogjikshëm të një personi të palogjikshëm”, deklaroi një prej studentëve, duke kundërshtuar masat e paralajmëruara nga qeveria.
Një tjetër protestuese tregoi se kishte pasur përballje verbale me deputetë që kishte takuar në rrugë, duke theksuar se u kishte shprehur hapur kritikat e saj.
“U kam thënë vetëm të vërtetat deputetëve që kam parë në rrugë. Atyre u ka djegur”, u shpreh e reja.
Ajo komentoi gjithashtu zhvillimet politike në Serbi, ku lëvizja studentore arriti të fitonte zgjedhjet parlamentare, duke e lidhur këtë rezultat me shpresat për ndryshim edhe në Shqipëri.
“I kemi parë ngjarjet në Serbi dhe fitoren e studentëve atje. Ne jemi të fokusuar në largimin e Ramës. Më pas do të shohim”, deklaroi protestuesja.
Reagimet e të rinjve vijnë ndërsa kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një paketë të re masash ligjore kundër asaj që ai e ka cilësuar si dhunë dhe anarki urbane.
Ndërkohë, studentët vijojnë të mblidhen përpara Ministrisë së Arsimit, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe duke paralajmëruar vazhdimin e protestave.
