Nga Genc Burimi

Rënia dramatike e Aleksandar Vuçiçit në Serbi në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit 2026, i mposhtur nga orteku elektoral i Listës Studentore, nuk është thjesht një ngjarje lokale. Ajo shënon plasaritjen e parë fatale të një çifti të pashpallur autokratësh që ka dominuar dhe ndarë Ballkanin Perëndimor për më shumë se një dekadë e gjysmë, kur një ortakëri e vërtetë politike u instalua mes Aleksandar Vuçiçit dhe Edi Ramës. Ky bosht, i ndërtuar mbi interesa të përbashkëta dhe metoda të njëjta qeverisjeje, po përjeton fillimin e fundit. Kur bie njëri, tjetri mbetet i zbuluar, duke u përpjekur të rezistojë me të njëjtat manovra mbijetese.

Binomi i autokracisë: dy liderë, e njëjta filozofi politike

Lidhja mes Ramës dhe Vuçiçit nuk ishte thjesht miqësi diplomatike, por një projekt i përbashkët për të kontrolluar vendet e tyre dhe pasur influencë me gjerë përmes të njëjtave metodave dhe në një sërë aksesh. Pushteti dhe represioni: të dy ndajnë të njëjtën jetëgjatësi në pushtet dhe të njëjtën dorë të hekurt. Si në Beograd, ashtu edhe në Tiranë, revoltat qytetare u pritën me shtypje të ashpër policore dhe gaz lotësjellës. Solidariteti i autokratëve: ata kanë shërbyer si mburojë publike për njëri-tjetrin. Ishte Rama ai që i kërkonte me ngulm Bashkimit Europian të mos e detyronte Vuçiçin t’i vendoste sanksione Rusisë. Nga ana tjetër, Vuçiç e këshillonte publikisht Ramën të mos tregonte butësi me protestuesit, duke u thënë shqiptarëve se nuk do të gjenin dot lider më të mirë se Edi Rama. Projektet e përbashkëta: nga axhenda e dështuar e “Ballkanit të Hapur” te plani për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, dyshja ka funksionuar në sinkron. Të dy ndërmorën të njëjtin presion mbi Albin Kurtin për krijimin e Asociacionit të komunave serbe, deri në pikën ku vetë Rama mori përsipër të shkruante tekstin e statuteve të tij. Këshilltarët nën hije: ky çift ndante po ashtu të njëjtët këshilltarë ndërkombëtarë, si Toni Bler, me anë të të cilit ndanë dhe të njëjtët pseudo-investitorë arabë. I njëjti Mohamed Alabbar imponoi si projektin “Waterfront” në Beograd, ashtu dhe atë të “Marinës Durrës” – dy projekte binjake që popujt përkatës i kundërshtuan masivisht si afera sa korruptive, aq edhe antidemokratike.

Një dorëzim “sa për sy e faqe” si i Vuçiçit?

Tani që Vuçiçi ra, Rama po reziston i vetëm, por strategjitë e tij për të menaxhuar krizën janë të parashikueshme dhe në një fund pa shpëtim ai do të kopjojnë modelin serb.
Skenari i parë (represioni): të vazhdojë shtypjen e dhunshme të protestave studentore në Tiranë, për t’u treguar perëndimorëve se ai e kontrollon ende situatën dhe se nuk duhet ta lëshojnë ashtu siç lëshuan Vuçiçin.
Skenari i dytë (zgjedhjet e rrufeshme): të bëjë sikur lëshon pe, duke shpallur menjëherë zgjedhje të parakohshme, por pa pranuar qeveri teknike. Nëse e bën këtë, Rama do të përpiqet të përfitojë nga një avantazh që i jep kodi aktual zgjedhor shqiptar, të cilin nuk e kishte Vuçiç.
Në Serbi, kodi zgjedhor lejon që një grupim qytetarësh të hyjë në zgjedhje pa krijuar parti politike, vetëm me 10000 firma të depozituara në gjykata ose te noteri. Nga kjo përfituan të rinjtë serbë, duke shpallur vetëm në momentin e hapjes së fushatës Listën studentore me 250 kandidatë në të gjithë Serbinë, falë sistemit serb proporcional kombëtar. Pushteti i Vuçiçit, që nuk i njihte emrat e kanditatëve më përpara, u kap në befasi dhe s’mund t’u bënte shantazh. Në Shqipëri kjo është e pamundur sepse Kodi Zgjedhor aktual shqiptar, proporcional rajonal, detyron një regjistrim zyrtar të komitetit nismëtar në KQZ të çdo partie të re të paktën 70 ditë përpara zgjedhjeve, duke i ekspozuar nismëtarët ndaj shantazhit shtetëror. Nëse Rama do të shpallte zgjedhje të parakohshme të rrufeshme, protestuesit do të mbeteshin jashtë garës. Nëse këta regjistrohen që tani për të qenë në rregull me afatet ligjore, atëherë duhet të dorëzojnë automatikisht emrat, adresat dhe strukturat e tyre në regjistrat publikë, duke u bërë shënjestër e menjëhershme e makinerisë së përçarjes dhe shantazhit shtetëror. Ndryshe nga Serbia, një “grup qytetarësh” shqiptarë nuk mund të paraqesë listë mbarëkombëtare. Ligji lejon vetëm kandidatë individualë të pavarur, një për çdo qark, domethënë 12 gjithsej, në një kohë kur partitë mund të regjistrojnë mbi dhjetë herë më tepër, çka e bën të pamundur krijimin e një force të madhe parlamentare, si ajo e Listës studentore në Serbi.

Skenari i kaosit paszgjedhor

Edhe nëse dorëzohet për zgjedhje dhe i humb ato, plani i vërtetë i autokratit është kalimi në opozitë për të punuar nën rrogoz me strategjinë e “tokës së djegur”. Në Serbi, fitorja e Listës Studentore me asgjësimin e partive të vjetra tradicionale po rezulton paradoksalisht si një gjysmë-fitore për Vuçiçin. Duke mbetur partia e dytë më e madhe në parlament, ai dhe mëkëmbësi i tij Vuçeviç që drejton partinë kanë shpallur hapur skenarin e hakmarrjes. Me 105 deputetë nga 250 gjithsej, të cilët Vuçiç i quan “samuraj”, partia e tij SNS nuk do të bëjë opozitë parlamentare, por një luftë guerile institucionale. Duke kontrolluar punonjës nga partia në administratë, në ndërmarrjet publike, në drejtësi, në rrjetet e energjisë, Vuçiçi dhe liderët e SNS-së do të bllokojnë apo sabotojnë çdo vendim të mazhorancës së Listës studentore, duke pritur që vendi të shkojë drejt kolapsit ekonomik për t’ia faturuar fajin studentëve. Për më tepër që Serbia vazhdon të varet nga gazi rus, kur dihet që Moska është mbrapa Vuçiçit dhe mund t’i hapë telashe në furnizim qeverisë së Listës studentore. Ideja do të jetë që të krijohet aq shumë kaos dhe destabilizim, saqë populli të pendohet brenda gjashtë muajve dhe të lutet për rikthimin e pushtetit të mëparshëm.
Pika më e nxehtë dhe më e rrezikshme e deklaratës së Vuçeviç-it, shefit të partisë së Vuçiçit, ishte kërcënimi për kaos ndaj Listës studentore në lidhje me qasjen ndaj Kosovës dhe Republikës Serbe: “Nëse ata arrijnë një marrëveshje me Kurtin për Kosovën, do të ndeshen me një rezistencë të egër. Nëse thonë se Republika Srpska nuk u intereson, do të ekspozohen ndaj një rezistence po aq të egër nga ana jonë.”
Edi Rama po e studion me vëmendje këtë lëvizje të Vuçiçit. Nëse një ditë, si lideri serb edhe ai tërhiqet, të njëjtën gjë do të tentonte: të paktën të eliminojë të gjitha partitë e tjera në mënyrë që PS-ja të jetë e vetmja forcë opozitare në parlament përballë të rinjve për ta sabotuar shtetin e ri nga brenda, një shtet i minuar nga patronazhistët dhe administrata socialiste. Si Vuçiç, edhe Rama në opozitë do të priste që brenda pak muajsh kaosi t’i bëjë shqiptarët të kërkonin rikthimin e liderëve me përvojë.

Konkluzioni: fjalën e ka drejtësia

Për të thyer këtë rreth vicioz autokratik, popujt në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor duhet të kuptojnë se vetëm kutitë e votimit nuk mjaftojnë. Në fjalimin e tij të pranimit të humbjes, Vuçiç bëri thirrje indirekte që të mos gjykohet, duke i quajtur të gjitha akuzat ndaj tij si “trillime”. Këtë gjë do të tentojë edhe Rama: të mjaftohet në rastin më të keq me humbjen e pushtetit por pa dalë asnjëherë nga politika, për të garantuar paprekshmërinë e tij. Zgjidhja e vetme që ky çift autokratësh të mos jetë më aktiv dhe të mos marrë peng të ardhmen e rajonit është veprimi i drejtësisë ndaj korrupsionit shtetëror dhe çdo vepre tjetër penale të kryer gjatë qeverisjes. Një hap që institucionet e drejtësisë duhet ta kishin bërë që kur këta dy liderë ishin dhe vazhdojnë të jenë në majat e pushtetit. Më mirë vonë se kurrë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb