Avokati Sokol Hazizaj ka kritikuar paketën e ndryshimeve ligjore të propozuara nga kryeministri Edi Rama, duke i lidhur ato me situatën e krijuar nga protestat dhe duke argumentuar se nismat rrezikojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Hazizaj u shpreh se e konsideron shqetësuese që i njëjti kryeministër që përballet me protestat paraqet nisma për ndryshime në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
Sipas avokatit, këto iniciativa nuk synojnë zgjerimin e lirive, por vendosjen e kufizimeve ndaj qytetarëve.
Ai shtoi se në këto nisma ligjore sheh shenja nervozizmi dhe argumentoi se mazhoranca parlamentare nuk duhet t’i përdorë kompetencat e saj për të kufizuar të drejtat e qytetarëve.
Avokati u ndal edhe te mënyra se si po menaxhohen protestat, duke theksuar se çdo efektiv policie duhet të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet që bien ndesh me ligjin.
Sipas tij, punonjësit e policisë duhet të veprojnë në përputhje me Ligjin për Policinë e Shtetit dhe legjislacionin për tubimet, ndërsa çdo tejkalim i kompetencave mund të sjellë pasoja ligjore.
Hazizaj tha gjithashtu se kryeministri ka humbur legjitimitetin moral për të ndërmarrë nisma që, sipas tij, kufizojnë qytetarët që po protestojnë kundër qeverisë.
“Ajo që mua më bën përshtypje është se i njëjti kryeministër paraqet para shqiptarëve nismën për tri ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale. Më duket qesharake që i njëjti njeri ndërmerr nisma që nuk kanë të bëjnë me lirinë e qytetarëve, por me kufizimin e saj. Brenda këtyre nismave ligjore ka nervozizëm. Nuk ka sesi, edhe kur ke mazhorancën absolute, të ndërmarrësh nisma të tilla në një klimë urrejtjeje, sepse kjo është e dukshme. Edhe nëse këto nisma ligjore hyjnë në fuqi, unë mendoj se ato nuk kanë fuqi prapavepruese. Gjithashtu, mendoj se ky kryeministër nuk e ka më forcën dhe legjitimitetin moral për të ndërmarrë nisma ligjore kundër qytetarëve që po protestojnë pikërisht kundër tij.
Ai nuk mund t’i detyrojë qytetarët dhe as ta çojë mazhorancën drejt një situate të tillë. Ky nuk ka më një parti politike, por është kthyer në një individ që përshkallëzon të gjitha mjetet dhe instrumentet e dhunës. Çdo punonjës policie mban përgjegjësi penale individuale për çdo veprim që nuk parashikohet në Ligjin për Policinë e Shtetit dhe në Ligjin për Tubimet. Ka katër elemente. Elementi i parë bie në kundërshtim me nenin 2 të Kushtetutës, që lidhet me vullnetin e qytetarëve për të shprehur atë që mendojnë dhe për të ushtruar liritë e tyre. Nëse kjo nismë realizohet, ajo bie në kundërshtim me lirinë e tubimit. Lirinë dhe detyrimin i ndan një fije e hollë, të cilën sot ky njeri nuk mund ta dallojë.
Mund të thoni se ai e miraton këtë nismë sepse ka dy të tretat e Kuvendit, por këto nisma nuk mund të kalojnë pa konsultimin me Bashkimin Evropian. Ne nuk mund të krahasohemi me Francën. Protestat në Francë apo në Itali kanë qenë në një situatë shumë më të rëndë sesa ajo që po ndodh me studentët tanë”, tha ai.
