Ivi Kaso, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar zhvillimet në institucionet e drejtësisë dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, duke u ndalur te ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe çështja e AKSHI-t.

Kaso deklaroi se SPAK-u ka vënë përpara përgjegjësisë zyrtarë të lartë, mes tyre edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa pretendoi se presioni politik ndaj Prokurorisë së Posaçme është i madh. Ai u ndal te akuzat që, sipas tij, i janë komunikuar Ballukut, duke përmendur korrupsionin aktiv dhe pasiv, shpërdorimin e detyrës dhe fshehjen e pasurisë.

Kaso ngriti gjithashtu pikëpyetje për mosparaqitjen e një kërkese për masë sigurie ndaj saj dhe për procedurat që lidhen me imunitetin parlamentar. Sipas Kasos, në momentin kur kryeministri Edi Rama është ndier i kërcënuar nga hetimet ndaj personave të afërt me të, përfshirë Ballukun dhe Agasin, presioni ndaj drejtësisë është rritur.

“SPAK ka vënë para përgjegjësisë zv.kryeministren, në rastin konkret, si dhe kryebashkiakun e Tiranës, që është në burg. Presioni i politikës është i madh. Goditja brenda të njëjtës ditë ndaj grupit të strukturuar kriminal që drejton AKSHI-n dhe kishte në dorë fatet e shtetit, në të njëjtën ditë me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Sot shohim që i janë komunikuar akuza më të rënda ish-zv.kryeministres, duke nisur nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës dhe fshehja e pasurisë, dhe nuk guxon prokurori të kërkojë masë sigurie, sepse i tregoi dhëmbët Rama. Në momentin që i ka komunikuar akuzat, shtatë, në mos gaboj, duhet ta kishte shoqëruar me një kërkesë drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit.

Në momentin që Rama u ndie i kërcënuar nga personat e afërt, si Belinda Balluku dhe Agasi, të cilit i kishte dhënë fuqi të jashtëzakonshme, e çoi presionin në maksimum për të mos i hequr imunitetin Ballukut dhe i tregoi dhëmbët SPAK-ut. Presioni i Ramës dhe i mazhorancës shkoi në maksimum.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: