Një 31-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për vjedhje me dhunë, është arrestuar nga Policia Kufitare në Muriqan, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria.
Në pranga ka rënë shtetasi A. T., i njohur edhe me identitetet A. B. dhe A. C., 31 vjeç, banues në Mamurras.
Sipas Policisë, arrestimi u realizua si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes shërbimeve të Policisë Kufitare Muriqan dhe Interpol Tiranës, në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
31-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Interpol Madridi, pasi Gjykata e Instruksionit nr. 4 në Sabadell të Spanjës, me vendimin e datës 28 nëntor 2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Pas ndalimit në pikën kufitare të Muriqanit, i riu iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të cilat kryen arrestimin e tij të përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt Spanjës.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, po vijon procedurat ligjore për ekstradimin e 31-vjeçarit, i cili kërkohet nga drejtësia spanjolle për t’u përballur me akuzën e vjedhjes me dhunë.
