Gjykata e Lartë ka zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencës mes GJKKO-së dhe Gjykatës së Tiranës për çështjen që lidhet me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kallëzimin e bërë nga “Nesti Angoni”.
Veliaj ka kundërshtuar vendimin për mosfillimin e procedimit penal lidhur me kallëzimin e tij për këtë çështje, duke kërkuar vijimin e hetimeve.
“Nesti Angoni” është identiteti i përdorur në kallëzimin që çoi në nisjen e procedimit ndaj kryebashkiakut, ndërsa sipas verifikimeve të përmendura në kallëzim, ky person nuk rezulton të ekzistojë në regjistrat e gjendjes civile.
Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi se kompetente për shqyrtimin e ankimit të Veliajt është Gjykata e Tiranës.
Tashmë, do të jetë kjo gjykatë që do të shqyrtojë ankimin e kryebashkiakut lidhur me vendimin për mosfillimin e procedimit penal.
