Një sulm i përgjakshëm nga një ari polar ka lënë në gjendje kritike një punëtor 23-vjeçar në një terminal të largët të eksportit të naftës në Arktikun rus. I riu, i identifikuar si Dmitry K., pësoi plagë të rënda në kokë, shpatulla dhe krahë, ndërsa kafsha i shkëputi edhe pjesë të lëkurës dhe indeve të fytyrës dhe shpinës. Për shkak të rëndësisë së plagëve, 23-vjeçari u transportua me helikopter drejt spitalit, ku iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale. Ai vijon të jetë në gjendje kritike, por sipas raportimeve mjekësore, pritet të mbijetojë. Kirurgët do të duhet të kryejnë ndërhyrje të ndërlikuara për të rindërtuar pjesët e dëmtuara të fytyrës.
Sipas deklaratës së ekipit mjekësor, punëtorit iu dha ndihma e parë dhe u transportua në Qendrën Mjekësore CKM, ku plagët iu pastruan dhe u trajtuan kirurgjikalisht. Atij iu administrua gjithashtu profilaksia pas ekspozimit ndaj rrezikut të tërbimit. Operacioni i shpëtimit u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, pasi ariu qëndronte ende pranë zonës. Personeli mjekësor u shoqërua nga një roje e armatosur për të garantuar sigurinë gjatë ndërhyrjes.
Ngjarja ndodhi në terminalin e naftës Bukhta Sever, në gadishullin Taymyr të Rusisë. Muajin e kaluar, Rusia nisi eksportet tregtare të naftës bruto nga ky terminal, i cili është pjesë e projektit gjigant Vostok Oil të kompanisë shtetërore Rosneft, një prej investimeve më të mëdha të reja në sektorin e naftës në vend në dekadat e fundit. Hapjen e dërgesave e përuroi edhe presidenti rus, Vladimir Putin. Zona përreth terminalit është habitat i më shumë se 2,000 arinjve polarë, të cilët lëvizin të lirë në territorin arktik. Takimet mes njerëzve dhe këtyre kafshëve janë bërë një shqetësim në Rusi, ku ndryshimet në kushtet e akullit detar dhe mungesa e ushqimit konsiderohen ndër faktorët që i shtyjnë arinjtë të afrohen më shumë pranë vendbanimeve dhe zonave të aktivitetit njerëzor. Më herët gjatë këtij muaji, mediat ruse raportuan se të paktën 22 persona janë vrarë nga sulmet e arinjve në të gjithë vendin që nga pranvera.
