FBI ka fajësuar zyrtarisht hakerët e Koresë së Veriut për një prej sulmeve më të mëdha kibernetike në historinë e kriptomonedhave, ku u vodhën rreth 6.3 miliardë dollarë nga platforma Binance.
Sipas agjencisë amerikane, sulmi është kryer nga grupi i hakerëve koreano-veriorë TraderTraitor. FBI paralajmëron se autorët kanë nisur tashmë konvertimin e aseteve të vjedhura në Ethereum, duke ngritur shqetësime se fondet mund të pastrohen përmes bursave dhe platformave të ndryshme të kriptomonedhave.
Për këtë arsye, agjencia u ka bërë thirrje platformave të kriptomonedhave që të identifikojnë dhe bllokojnë transaksionet që lidhen me adresat e përdorura nga hakerët.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur rezerva lidhur me përgjegjësinë e Phenianit për sulmin, duke vënë në pikëpyetje përfshirjen e regjimit të Kim Jong Un, me të cilin ka pasur marrëdhënie të njohura personale.
I pyetur nëse Koreja e Veriut qëndronte pas sulmit, Trump u përgjigj: “Nuk e dimë. Po e hetojmë”.
Hetimi i FBI-së e vendos kështu grupin TraderTraitor në qendër të një prej grabitjeve më të mëdha të raportuara në botën e aseteve dixhitale, ndërsa autoritetet amerikane po përpiqen të pengojnë lëvizjen dhe pastrimin e shumave të vjedhura.
