Papa Leoni XIV u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që bashkëpunimin e arritur për evakuimin e civilëve nga qyteti i Oleshky-t ta shfrytëzojnë si një mundësi për të zgjeruar dialogun dhe për të ndërmarrë hapa konkretë drejt paqes.
Gjatë lutjes së së dielës, kreu i Kishës Katolike përshëndeti operacionin humanitar në qytetin ukrainas, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse. Ai vlerësoi bashkëpunimin mes palëve, që bëri të mundur largimin e banorëve të bllokuar prej muajsh.
“Një operacion humanitar është kryer për të ndihmuar popullsinë civile në qytetin e Oleshky-t”, deklaroi Papa, duke shprehur shpresën se kjo nismë do të shërbejë si shembull për zhvillime të tjera diplomatike.
“Shpresoj që bashkëpunimi midis palëve, i cili e bëri të mundur këtë gjest të domosdoshëm humanitar, do të forcojë gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në dialog dhe do të çojë në nisma të reja konkrete për paqen”, theksoi ai.
Armëpushimi lokal në Oleshky u arrit përmes ndërmjetësimit amerikan, në një proces ku u përfshi edhe Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, në kuadër të përpjekjeve humanitare. Në negociata mori pjesë gjithashtu Vatikani.
Marrëveshja mundësoi evakuimin e civilëve ukrainas që kishin mbetur të bllokuar në qytetin e pushtuar nga forcat ruse. Të shtunën, dhjetëra banorë mbërritën në territorin e kontrolluar nga autoritetet ukrainase, pas një udhëtimi të vështirë.
Operacioni përbën një rast bashkëpunimi mes dy palëve ndërluftuese për një çështje humanitare, ndërsa përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje vijojnë.
rainë.
