Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi ka regjistruar dy çështje penale që lidhen me dyshime për shkelje të të drejtave zgjedhore. Në njërën prej tyre është kallëzuar drejtori i Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), Vladimir Orliç, së bashku me disa punonjës të këtij institucioni, ndërsa në çështjen e dytë janë përfshirë ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiç, drejtori i Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Mile Jandriç, si dhe më shumë se 60 persona të tjerë.

Sipas njoftimit të prokurorisë, dy çështjet janë regjistruar pas kallëzimeve penale të paraqitura nga avokati Ivan Niniç, të cilat lidhen me dyshime për kryerjen e veprave penale që cenojnë të drejtat zgjedhore.

Procedimi është ndërmarrë në zbatim të udhëzimit të përgjithshëm të detyrueshëm të Prokurorisë së Lartë Publike, të datës 20 tetor 2026, që përcakton mënyrën e veprimit të prokurorëve gjatë hetimeve paraprake dhe procedimeve penale për veprat që lidhen me të drejtat zgjedhore.

Kallëzimi i parë ndaj drejtorit të BIA-s

Kallëzimi i parë penal është paraqitur ndaj drejtorit të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), Vladimir Orliç, dhe disa punonjësve të këtij institucioni.

Ata dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, cenim të së drejtës së votës dhe detyrim me forcë.

Më 4 nëntor, Prokuroria për Krimin e Organizuar i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme, konkretisht Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK), të verifikojë pretendimet e kallëzimit, të mbledhë informacionet e nevojshme dhe të marrë në pyetje personat e kallëzuar.

Në kallëzimin e dytë, ministri i Drejtësisë dhe mbi 60 persona

Çështja e dytë penale përfshin ministrin e Drejtësisë, Nenad Vujiç, drejtorin e Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Mile Jandriç, këshilltaren speciale të ministrit, Milica Radonjiç, si dhe mbi 60 persona të tjerë, të identifikuar me emër dhe mbiemër.

Mes tyre janë drejtues të disa burgjeve dhe institucioneve të paraburgimit, si dhe punonjës të këtyre strukturave.

Kallëzimi përfshin gjithashtu funksionarë të lartë të paidentifikuar, përfaqësues dhe aktivistë të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Personat janë kallëzuar për një sërë veprash të dyshuara penale, përfshirë organizimin për kryerjen e veprave penale, shpërdorimin e detyrës zyrtare, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, dhënien dhe marrjen e ryshfetit në lidhje me votimin, mbledhjen e paautorizuar të të dhënave personale, moskryerjen me përgjegjësi të detyrave zyrtare, si dhe diskriminimin racor dhe forma të tjera diskriminimi.

Prokuroria i kërkon policisë verifikimin e kallëzimeve

Edhe për çështjen e dytë, më 4 nëntor, prokuroria i është drejtuar SBPOK-ut me kërkesën për të kryer veprimet e nevojshme hetimore për verifikimin e pretendimeve.

Policia është udhëzuar të mbledhë informacione nga të gjithë personat e kallëzuar, si dhe nga individë të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjet e përshkruara në kallëzimet penale.

Deri më tani, Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar nuk ka bërë publike hollësi mbi pretendimet konkrete të kallëzimeve dhe as nuk ka konfirmuar nëse personat e përfshirë janë marrë në pyetje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: