Gazetari i News24, Osman Stafa, denoncon një rast intimidimi dhe kërcënimi nga punonjës të Policisë së Shtetit, teksa po filmonte një ndërhyrje të uniformave blu ndaj një qytetareje pranë Piramidës në Tiranë.

Në një reagim, Stafa rrëfen se gjithçka nisi pasi një punonjës policie iu afrua dhe e pyeti se përse po filmonte. Gazetari i është përgjigjur se, në cilësinë e tij si gazetar, ka të drejtë të filmojë veprimet e policisë në hapësira publike. Sipas tij, polici e ka kërcënuar se do ta shoqëronte në komisariat, me pretendimin se nuk mund të filmonte një punonjës policie.

Stafa tregon se, pasi ndezi sërish telefonin për të dokumentuar situatën dhe për të pyetur arsyen e kërcënimeve, u rrethua nga disa persona civilë, të cilët, pavarësisht se e identifikuan dhe e thirrën në emër, i kërkuan edhe kartën e identifikimit si gazetar.

Më pas, sipas rrëfimit të tij, disa prej tyre e kapën nga krahët, ia vendosën duart pas shpine dhe i morën telefonin, duke ndërprerë filmimin. Gazetari pretendon se katër deri në pesë persona tentuan ta ulnin në tokë dhe e mbajtën të ndaluar për më shumë se 10 minuta, ndërsa i përsërisnin se do ta shoqëronin në komisariat dhe se mund ta kalonte natën në qeli.

Ai shton se personat e pranishëm nuk lejuan as qytetarët e tjerë të filmonin dhe se telefonin nuk ia kthyen deri në momentin kur u njoftuan eprorët e punonjësve të policisë. Pas komunikimit me ta, sipas gazetarit, efektivët u larguan dhe i kthyen pajisjen.

Stafa e cilëson atë që ndodhi si intimidim dhe kërcënim të drejtpërdrejtë, duke theksuar se po dokumentonte veprimet e policisë ndaj një qytetareje. Ai denoncon ndalimin e filmimit, marrjen e telefonit dhe pengimin e tij për të lëvizur, pavarësisht se punonjësit e kishin identifikuar si gazetar.

Reagimi i plotë i gazetarit Osman Stafa:

Kam qenë duke filmuar një rast vënie gjobe ndaj një qytetareje tek Piramida.

Punonjësi i policisë m’u afrua dhe më tha: “Pse filmon?”

Iu përgjigja se filmoj ku të dua si gazetar.

Përgjigjja ishte se do të shoqërohesha në komisariat dhe se s’mund të filmoja një punonjës policie.

Ky ishte një intimidim dhe kërcënim që m’u bë nga punonjësit e policisë. Një me uniformë dhe të tjerët civilë.

Pas kërcënimeve dhe intimidimeve se pse filmoja, kam ndezur telefonin dhe i kam pyetur se pse do të më shoqëronin dhe pse po më kërcënonin.

Pas këtij momenti më rrethojnë civilët dhe, edhe pse më identifikojnë si Osman, më kërkojnë bexhin.

Më pas më deklarojnë se do të më shoqëronin dhe më kapën nga krahët, m’i vendosën duart mbrapa për të më ndalur.

Më marrin telefonin dhe ndalojnë videon.

Më pas më vendosin krahët pas kurrizit dhe kërkuan të më ulnin në tokë. Ishin 10-12 civilë e policë.

Më pas kërkojnë makinë për të më shoqëruar dhe më mbajnë më shumë se 10 minuta të ndaluar. Po më deklaronin se do ta kaloja natën në komisariat.

Asnjë person tjetër nuk lanë të filmonte. Telefonin nuk ma dhanë. Deri në momentin që u lajmëruan shefat dhe, pasi kuptuan se çfarë kishin bërë, u larguan dhe më dhanë telefonin.

Kjo që ndodhi ishte një intimidim i pastër dhe kërcënim që m’u bë teksa po filmoja veprimet e policisë ndaj qytetarëve.

Punonjësit e policisë, edhe pse më identifikuan si Osman (më thirrën në emër), vijuan me veprimet e tyre antiligjore, duke më ndaluar filmimin, duke më sekuestruar telefonin dhe duke më ndaluar të lëvizja për më shumë se 10 minuta.

Gjatë kësaj kohe, kërcënimet se do të arrestohesha, do ta kaloja natën në burg dhe se do të shoqërohesha ishin të vazhdueshme.

Pasi komunikuan me shefat, u larguan dhe më dhanë telefonin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb