Viti 2026 pritet të renditet si viti i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, ndërsa të dhënat e fundit të shërbimit evropian të monitorimit të klimës, Copernicus, tregojnë se ngrohja globale po vijon me ritme shqetësuese. Sipas vlerësimeve, ekziston një mundësi prej 20% që temperaturat globale të barazojnë ose të tejkalojnë rekordin e vitit 2024.
Copernicus thekson se është pothuajse e sigurt që temperatura mesatare globale gjatë vitit 2026 do të jetë mbi 1.5 gradë Celsius krahasuar me nivelet para-industriale. Edhe mesatarja katërvjeçare për periudhën 2023-2026 pritet të kalojë këtë prag, i përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit si objektiv për të kufizuar ndikimet më të rënda të ndryshimeve klimatike.
Të dhënat tregojnë se bota përjetoi tetorin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, me temperaturat mesatare globale të ajrit pranë sipërfaqes 1.75 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale të periudhës 1850-1900.
Sipas ekspertëve, një nga faktorët që po kontribuon në këtë situatë është fenomeni El Niño, i cili rrit temperaturat në sipërfaqen e oqeaneve. Efekti i tij po ndërthuret me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, duke përforcuar valët e të nxehtit.
“Tetori vazhdoi trendin e ngrohjes së jashtëzakonshme globale, me temperatura rekord si në nivel global, ashtu edhe në sipërfaqen e oqeanit”, deklaroi Samantha Burgess, drejtuese e strategjisë klimatike në Qendrën Evropiane për Parashikime të Motit me Afat Mesëm (ECMWF), institucioni që menaxhon Copernicus.
Ajo theksoi se një fenomen El Niño jashtëzakonisht i fortë po i shton nxehtësi një klime që është ngrohur tashmë për shkak të aktiviteteve njerëzore.
Raporti publikohet në një moment kur vendet po përgatiten për konferencën e OKB-së për klimën, COP31, e cila pritet të nisë të hënën në Turqi dhe të zgjasë dy javë.
Takimi zhvillohet pas një viti të shënuar nga përmbytje vdekjeprurëse në Nepal, valë ekstreme të të nxehtit në Evropë dhe zjarre të mëdha pyjore në Indonezi. Të dhënat e Copernicus pritet të shtojnë presionin ndaj qeverive për të ndërmarrë masa më konkrete kundër ndryshimeve klimatike.
