Një 60-vjeçar nga Gostivari dyshohet se ka shfrytëzuar për një periudhë të gjatë nënën e tij 80-vjeçare, duke e detyruar të lypte në rrugë, ndërsa paratë që ajo siguronte ia merrte dhe i përdorte për nevojat e veta.
Sipas njoftimit të policisë, më 6 nëntor 2026, Njësiti Kombëtar për Shtypjen e Kontrabandimit të Emigrantëve dhe Trafikimit me Njerëz ka ngritur kallëzim penal ndaj shtetasit me inicialet N.N., 60 vjeç, nën dyshimin për veprën penale “Trafikim me njerëz”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë viteve 2025 dhe 2026, 60-vjeçari ka shfrytëzuar gjendjen e rënduar shëndetësore dhe varësinë e nënës së tij, e cila lëviz me karrocë invalidore dhe për shkak të paaftësisë fizike nuk mund të kryejë në mënyrë të pavarur aktivitetet e përditshme.
Sipas policisë, ai e dërgonte vazhdimisht të moshuarën në një zonë të Gostivarit, ku e detyronte të lypte. Gjatë kësaj kohe qëndronte pranë saj, duke e mbikëqyrur dhe kontrolluar, ndërsa më pas dyshohet se ia merrte me forcë paratë e mbledhura dhe i përdorte për nevojat personale.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, policia ka ushtruar kontroll në banesën dhe ambientet e tjera të të dyshuarit në Gostivar, ku 60-vjeçari është privuar nga liria.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar telefona celularë dhe një shumë parash, për të cilat dyshohet se burojnë nga veprimtaria e paligjshme.
Rasti i është referuar organeve kompetente për procedurat e mëtejshme.
