Tadej Pogaçar vazhdon të mahnitë botën e çiklizmit jo vetëm me fitoret dhe dominimin në gara, por edhe me aftësitë fizike që e dallojnë nga rivalët e tij.
Dokumentari “Anatomy of a G.O.A.T.” zbulon disa nga sekretet e kampionit slloven, përmes të dhënave sportive, dëshmive të ish-shokëve të skuadrës dhe njerëzve që e kanë ndjekur nga afër karrierën e tij. Një nga episodet më domethënëse vjen nga një ngjitje në Liège, ku Geraint Thomas, fitues i Turit të Francës në vitin 2018, mbeti i habitur kur Pogaçar nisi të bisedonte me të, ndërsa të dy pedalonin me një fuqi që kalonte 400 vat.
Për Thomasin, përqendrimi në ngjitje ishte më se i mjaftueshëm, ndërsa slloveni dukej sikur kishte ende rezerva të konsiderueshme energjie. Këtë diferencë e konfirmojnë edhe analizat e Fred Grappe, përgjegjësit të inovacionit në Groupama-FDJ. Duke studiuar 73 ngjitje të Pogaçar që nga viti 2019, ai vlerëson se në Plateau de Beille, gjatë Turit të vitit 2024, kampioni slloven zhvilloi rreth 460 vat fuqi.
Në të njëjtën analizë, Jonas Vingegaard arrinte 444 vat, Remco Evenepoel 422, ndërsa çiklisti i dhjetë në renditje vetëm 380 vat. Edhe të dhënat fiziologjike janë mbresëlënëse. Sipas matjeve të “WHOOP”, Pogaçar ka vetëm 38 rrahje zemre në minutë në gjendje qetësie, katër më pak se mesatarja e shokëve të skuadrës të përfshirë në studim.
Një tjetër detaj interesant lidhet me gjumin. Në periudhën para Turit të Francës flinte rreth shtatë orë në natë, ndërsa gjatë tri javëve të garës, kur fitoi për herë të pestë fanellën e verdhë, mesatarja e tij arriti në tetë orë. Përveç kësaj, Pogaçar rezulton edhe më i rregullti në respektimin e orareve të gjumit dhe zgjimit, me një rezultat prej 84 për qind në indeksin e rregullsisë së gjumit. Ish-shokët e skuadrës kanë gjithashtu histori për të treguar.
Matteo Trentin kujton se si, ndërsa ndihmësit ndërroheshin vazhdimisht në krye të grupit, Pogacar vazhdonte të pedalonte me të njëjtin ritëm. Tim Wellens shkon edhe më tej, duke thënë se është më e lehtë të garosh në peloton sesa të stërvitesh vetëm me sllovenin. Ish-trajneri Inigo San Millan veçon edhe një tjetër element: stabilitetin e jashtëzakonshëm të trupit të Pogacar gjatë pedalimit.
Forcimi i muskujve të trungut, që mori më shumë rëndësi në përgatitjen e tij pas vitit 2023, e ndihmon të ruajë pozicionin dhe efikasitetin edhe në ngjitjet më të vështira. Dokumentari rikthen gjithashtu kujtimet e vitit 2020, kur Pogaçar përmbysi pritshmëritë në kronometrin e La Planche des Belles Filles, duke i rrëmbyer fanellën e verdhë Primoz Rogliçit në një nga momentet më dramatike të historisë së afërt të Turit.
Por, përtej shifrave, rekordeve dhe triumfeve, Pogaçar mbetet i lidhur fort me vendlindjen e tij, Komenda. Gjatë një gare në korrik, ai shprehu kënaqësinë që rikthehej mes familjes, miqve dhe njerëzve që e mbështesin që nga fillimet. Mesazhi i tij ishte i thjeshtë, por domethënës: “Kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë, ndaj le të përpiqemi ta shijojmë këtë moment”. Ndoshta pikërisht ky është një nga sekretet e Pogaçar: aftësia për të dominuar çiklizmin modern, pa harruar se çdo sukses dhe çdo moment i bukur ka vlerën e vet.
