Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shprehur keqardhjen për interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit të organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit në Bruksel.
Në një reagim lidhur me polemikën e krijuar, Kos ia ka atribuar përgjegjësinë për përzgjedhjen e këngës muzikantëve, duke theksuar se interpretimi i saj nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimin e Komisionit Evropian apo të saj personalisht për Kosovën.
“Më vjen keq për zgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Ajo prek ndjenjat sensitive, posaçërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë që vijnë nga kjo pjesë po ashtu. Dua të nënvizoj se kjo këngë në asnjë mënyrë nuk reflekton pozicionin e Komisionit Evropian apo qëndrimin tim lidhur me historinë e Kosovës”, është shprehur Kos.
Më tej, komisionerja ka folur për rëndësinë e pajtimit dhe ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët evropiane, duke theksuar se e kaluara nuk mund të ndryshohet, por ndasitë nuk duhet të përcaktojnë të ardhmen.
“Ajo që është e qartë është se ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë të përbashkët, por mund të zgjedhim të ardhmen tonë të përbashkët. E kjo e ardhme duhet të jetë evropiane. Evropiane në kuptimin se ne respektojmë dallimet, por të kemi një të ardhme pa ndasi. Kur them këtë, është shumë e qartë se ne nuk po kërkojmë të harrohen dallimet. Po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë më arsye për të jetuar të ndarë”, ka deklaruar ajo.
Në përgjigjen e saj, Kos ka cituar edhe fjalët e Munira Subashiq, nënës nga Srebrenica: “Dallimet janë në rregull, ndasitë nuk janë”, duke shtuar se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj evropian.
Ndërkohë, e pyetur nga gazeta KOHA se përse për të dytin vit radhazi Kosova nuk është përfaqësuar në një nivel institucional në Forumin e Zgjerimit, komisionerja Kos e ka kundërshtuar këtë konstatim.
Ajo ka deklaruar se pretendimi nuk është i vërtetë, duke përmendur si pjesëmarrëse Donika Eminin, përfaqësuese të shoqërisë civile nga Kosova.
Polemika nisi pas interpretimit të këngës “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit në Bruksel, ngjarje që shkaktoi reagime të shumta, mes tyre edhe nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, i cili e cilësoi rastin si provokim të qëllimshëm ose shfaqje të pastër të injorancës.
