Kryebashkiaku i Beogradit, Aleksandar Sapiç, është vënë nën akuzë nga drejtësia serbe, pasi dyshohet se ka dhunuar një këshilltare bashkiake të opozitës, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike.

Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator, në një periferi të Beogradit, ku Šapić akuzohet se ka goditur me grusht në fytyrë Tatjana Mićić. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me deri në tre vite burg.

Sipas prokurorisë, këshilltarja ka pësuar fraktura në hundë dhe nofullën e sipërme, si dhe dëmtime në qafë dhe krahun e djathtë. Lëndimet e saj janë klasifikuar si dëmtime të rënda trupore.

Lëvizja opozitare “Kreni-Promeni”, ku bën pjesë Mićić, publikoi pamje të incidentit dhe fotografi të dëmtimeve të saj, duke akuzuar kryebashkiakun për sulm ndaj këshilltares dhe bashkëshortit të saj.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, Šapić mohoi se kishte goditur gruan, por pranoi se ishte përfshirë në një konflikt fizik me bashkëshortin e saj. Prokuroria bëri të ditur se ka mbështetur akuzat në dëshmitë e personave të marrë në pyetje, pamjet filmike dhe dokumentacionin mjekësor.

Opozita ka kërkuar largimin e Šapić nga detyra, por kryebashkiaku nuk ka pranuar të japë dorëheqjen. Partia e tij, SNS e Vuçiçit, humbi pushtetin në nivel kombëtar pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit, por vijon të drejtojë Bashkinë e Beogradit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb