PRISHTINE – Brahim Shala nga Cermiani i Gjakovës ka pranuar të rrëfejë gjithçka di rreth vrasjes së vëllezërve Valon e Ali Islamaj dhe të Zef Krasniqit, të martën pasdite, në Çarshinë e qytetit.

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë është djali i tij, Qëndrim Shala, bashkë me shokun e tij, Veton Gjoshi. Brahimi i ka rrëfyer Gazetës Express për dy telefonatat që mori nga i biri në ditën e ngjarjes, i cili i tregoi vetë për vrasjen që kishte kryer, për historinë e konfliktit të tij me Zef Krasniqin dhe vëllezërit e njohur si Madanaj.

I shkatërruar nga gjithë ngjarja, por duke ruajtur pak krenari, pasi konsideron se djali i mbrojti edhe nderin e familjes – që ende me fanatizëm ruhet nga burrat e zonës së Dukagjinit e sipas ligjeve të Kanunit – Brahim Shala nis të tregojë sesi grupi prej tre personave që tashmë janë të vrarë, bashkë me edhe disa të tjerë që ai i konsideron rrugaçë, vazhdimisht i kishin krijuar probleme e konfrontime në 16 vitet e fundit – që prej kohës kur Shala kishte shërbyer si pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës.

“Çka s’kanë bo deri sa më detyrun me hek dorë prej aty e mu largu”, thotë ish-polici gjakovar, që pretendon se telashet që grupi i krijonte e kishin shtyrë atë ta linte punën në SHPK.

Shala thotë se Qëndrimi bashkë me nënën e tij dhe shokun Veton Gjoshi – i dyshuar si bashkautor i vrasjes – kishin qenë në një pastiçeri në rrugën “Ismail Qemajli”, ku ishin takuar me tri viktimat, me të cilët kishin nisur një sherr.

“Koke rrit koke bo taman”, thotë t’i ketë treguar Qëndrimi se i ka thënë Valon Islamaj, duke mbajtur dorën në shokë, ku kishte një pistoletë.

Pastaj, sipas tij, vëllezërit Valon e Ali Islamaj e Zef Kransqi e kanë fyer rëndë nga nëna e djalit, edhe pse ajo ishte e pranishme aty.

Menjëherë pasi tregon se ka marrë një telefonatë nga djali i tij, ku i ishte betuar se do t’i vriste të tre këta persona “për të mbrojtur nderin dhe për të marrë hakun për babanë”.

Brahim Shala më pas thotë se i ka kërkuar djalit të kthehej menjëherë në shtëpi bashkë me nënën dhe t’ia sillte makinën, në mënyrë që të parandalonte çfarëdolloj veprimi të tij.

“S’ka shku shumë, kanë ardh, ma ka pru kerrin edhe mos s’kam ditë ka ka shku as qysh ka shku”, rrëfen burri që drejton një kompani të sigurimit fizik në Gjakovë.

“S’ka shku as ni orë edhe më ka thirr Qëndrimi edhe më ka thanë ‘Babë u kry ajo punë’”, kujton ai bisedën e fundit që e kishte me djalin e tij 25-vjeçar, pasi ai i kishte qëlluar disa plumba mbi tre viktimat që qëndronin ulur në një lokal përballë ëmbëltores ku kishte nisur fjalosja e asaj dite.

Shala më pas i ka treguar Gazetës Express për konfliktet në të kaluarën.
Ai ishte plagosur 8 vite më parë nga Zef Krasniqi, gjë për të cilën ky i fundit ishte në një proces gjyqësor që kishte rinisur, pasi prokuroria nuk mjaftohej me dënimin prej 3 vite burgim për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

“Djali mu më ka pa gati të vdekur kur me kanë plagosë”, kujton ai ngjarjen e 24 nëntorit 2008 ku ishte qëlluar me një plumb në barkë viktima Krasniqi i shoqëruar nga viktima tjetër Valon Islamaj dhe një person i tretë.

“Masi edhe me kanë plagosë, më kanë kërcënu prapë. Kjo është kon fundi i botës për mu. Qe erdh puna edhe djali më ardhë më dal mi vra”, thotë ai duke treguar edhe për konfliktin që kishin pasur vëllezërit Islamaj, të njohur si Madanaj, me shokun dhe vartësin e tij Gjelbrim Gjoshi – vëllai i të dyshuarit tjetër Veton Gjoshi – në klubin e natës ku shef i sigurimeve është Brahim Shala.

ali-1471974063-1457655_1472133688-2304115

“Më ka ranu shumë, është humbje shumë e madhe për mu”, thotë 49 vjeçari, i cili deri në ato momenti arriti t’i përmbajë lotët e mërzisë që ka për veprimin që e pranon se e kreu i biri, i cili ende ndodhet në arrati. Por kur thotë se “Me vite mbrapa më ka kthy, ma ka hup djalin”, lotët e tradhtojnë dhe për një moment përtej burrërisë, shpërthen në vaj.

“Smuj e akuzoj djalin, ska pasë shanse me i ikë kësaj situate”, vazhdon rrëfimin, duke fshirë lotët nga sytë.

“S’jena msu kush me na prekë fytyrën, e as nuk ja prekim fytyrën kuj”, e thotë si ngushëllim për veten.

Të mërkurën pasdite, kur Gazeta Express qëndroi në shtëpinë e babait të njërit nga të dyshuarit kryesor për vrasjen e fundit në Gjakovë, gati 24 orë pas ngjarjes, në fshatin Cermian nuk hasem ndonjë patrullë policore që siguronin shtëpinë e njërit nga dorasit.

Pa marrë parasysh këtë, Brahim Shala thotë se ndjehet shumë i sigurt dhe s’ka frikë se dikush mund t’i hakmerret atij, ndonëse tregon hapur se s’ka besim tek autoritetet e sigurisë, të cilave u kishte shërbyer edhe vetë për disa vite pas lufte.

“Siguria te na nuk është kerka hiq, edhe kanë lidhje tepër të thellë”, aludon ai për ndikim të viktimave dhe grupit të tyre që kanë në Polici, Gjykata e Prokurori.

Për më tepër ai nga tregoi edhe mesazhet fyese e kërcënuese që ka marrë pas ngjarjes së të martës pasdite të cilat pretendon se fare nuk e po e shqetësojnë.

Gazeta Express ka sjellë të mërkurën dëshmi dhe versionin e hetuesisë dhe prokurorisë se si vrasja e Valon e Ali Islamaj dhe Zef Krasniqit lidhjen me hakmarrje për shkak të disa konflikteve të më hershme. Edhe në versionet e para të prokurorisë dhe policisë, të cilat i kishte parë Gazeta Express, tregohej se Qëndrim Shala nga Cermiani dhe Veton Gjoshi nga Smolica, kishte marrë hak për babanë, respektivisht vëllain, kur qëlluan për vdekje tre viktimat të martën rreth orës 16:00 në Çarshinë e Gjakovës. Aty përfshihej edhe aktgjykimi ndaj Zef Krasnqit për plagosjen e Brahim Shalës, 8 vite më parë në qendër të qytetit, dhe historia e konfliktit të vëllezërve Madanj me Gjelbrim Gjoshin, vëllain e të dyshuarit tjetër Veton Gjoshi.

Qëndrim Shala dhe Veton Gjoshi kanë miqësi të ngushtë, që lidhet edhe me marrëdhënien e afërt të babait të Qëndrimit, Brahim Shalës me vëllain e madh të Vetonit, Gjelbrin Gjoshi. Po aq miqësi të afërt, gjithnjë kanë pasur edhe vëllezërit Islamaj nga fshati Madanaj i Gjakovës me Zef Krasniqin.

Dy të rinjtë, të dyshuar, vazhdojnë të ndodhen në arrati, derisa policia të martën mbrëma dhe të mërkurën gjatë ditës kanë bastisur disa lokacione të ndryshe në ndjekje të tyre, përshirë edhe shtëpitë e tyre në Cermian, respektivisht në Smolicë.

Herën e fundit që ata janë parë, sipas dëshmitarëve, pasi kanë kryer vrasjen në Çarshi, ata janë larguar me dy vetura njëra Fiat Uno dhe një Golf 2. /Express/.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: