VLORË –  Pavarësisht reshjeve dhe përmbytjeve të mëdha që kanë përshirë tërë jugun e vendit, banorët e lagjes “Kushtrim” të Vlorës kanë bllokuar sot rrugën e Skelës dhe kanë përshkallëzuar protestën e tyre për shpronësimin e shtëpive që do t’iu shemben nga ndërtimi i Rrugës Trans-Ballkanike.

Këtë radhë ata kanë dalë në rrugë me një arkivol simbolik në të cilin shkruhej “Vlora” dhe kanë kërkuar që edhe banesat e tyre që janë ende në proces legalizimi, të shpronësohen.

Gazetari i “News 24” , Enrik Mehmeti, njoftoi nga Vlora se ata kanë shkruar në parullat e tyre::”Jemi autoktonë”; “Z.Rama, mos u bëj vrasës fëmijësh” etj. Njëherësh, janë shprehur se janë pro ndërtimit të Rrugës Trans-Ballkanike, por nga ana tjetër duan të jetojnë. “Mos i bëj nënat me shami të zeza”, “Protesta jonë nuk është politike”…Këto janë disa nga mesazhet që ata i kanë drejtuar kreut të Qeverisë për të zgjidhur problemin e tyre.

Kjo protestë zhvillohet nga ajo pjesë e banorëve ende të palegalizuar, që banojnë në atë pjesë të qytetit ku do të kalojë Rruga Trans-Ballkanike. Sipas ligjit, ata nuk mund të shpronësohen nga Qeveria përsa kohë shtëpitë e tyre ende janë proces legalizimi. Dy ditë më parë ata u pritën nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, pasi hynë me forcë në bashki. Ai u premtoi se do t’i kërkonte Qeverisë të kapërcente ligjin, që i përjashtonte ata nga shpronësimi.

 

Ndërkohë Inspektoriati Ndёrtimor Urbanistik Kombёtar deklaroi fillimisht se do tё niste të hёnёn nё mёngjes, planin e punёs nё Vlorё, nё zbatim tё Vendimit tё Kёshillit tё Ministrave, pёr njё projekt tё qeverisё, për shembjen e banesave, por pas negociatave të deputetit të LSI-së, Shkëlqim Selam me banorët, aksioni i INUK u shty përkohësisht.

INUK, tha se “operacioni do tё fillonte tё henen dhe do tё vazhdonte pёr disa ditё, nё lagjen Kushtrimi, nё dy krahёt e rrugёs Transballkanike. Mjetet e INUK do tё shembin njё numёr tё konsiderueshёm objektesh, mbi 100 tё tilla.

Inspektorёt e INUK kanё bёrё prej ditёsh lajmёrimet pёr qytetarёt tё cilёt janё prekur nga ky vendim, pёr tё marrё masat e tyre me qёllim lehtёsimin e punёs. INUK kёrkon bashkёpunimin dhe mirёkuptimin, jo vetёm nga banorёt e lagjes “Kushtrimi”, por edhe nga gjithё qytetarёt e Vlorёs.

Pavarёsisht çdo nxitjeje politike qё nuk ka munguar deri tani,- thuhet në njoftimin e INUK, – apo aksioni politik qё mund tё jetё paramenduar, INUK do tё vijojё punёn e planifikuar pa ndryshuar asgjё nё axhendёn e tij operacionale. Pёrveç ndёrhyrjes nё kёtё zonё, INUK ka planifikuar edhe disa operacione brenda qytetit tё Vlorёs pёr lirimin e hapёsirave publike nga objektet e paligjshme.”

(ar.sh/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb