TIRANE- Banorët në Kodër Selitë janë përballur me një skenë horrori paraditen e djeshme, teksa kanë parë në rrugë kufomën e copëtuar të një mashkulli. Ekspertët mjeko-ligjorë arrijnë të konstatojnë paraprakisht se trupi i përket një personi të moshës rreth 30-vjeçare. Kufoma e copëtuar u gjet nga një kalimtar i cili po ecte në këmbë afër antenave telefonike, në këtë zonë.

Kalimtari ka parë fillimisht kafkën e dekompozuar dhe ka njoftuar policinë. Pas mbërritjes në zonë të saj janë gjetur dhe pjesët e tjera të trupit, të dëmtuara dhe dekompozuara.

Sipas ekspertëve dëmtimet e trupit mund të jenë shkaktuar nga kafshët e egra pasi trupi ka qëndruar për një kohë të gjatë në sipërfaqe dhe i ekspozuar si ndaj faktorëve natyrorë, ashtu edhe ndaj kafshëve.
Nuk dihen ende rrethanat dhe shkaku i vdekjes së njeriut, kufoma e të cilit u gjet në Kodër Selitë.

“Më datë 11.09.2016, rreth orës 11:00, në Kodër Selitë, është gjetur një trup të cilit i mungonin disa gjymtyrë, i skeletizuar. Në vendngjarje është gjetur një pjesë kockore (kafkë). Nga veprimet procedurale nuk konstatohen dëmtime në pjesën e kafkës, si dhe mungonin pjesë eshtrash, që dyshohet se është shfrytëzuar nga egërsirat e natës. U dërgua për ekzeminim në mjekësinë ligjore”, thuhet nga Policia e Tiranës.

Sektori për krimet në Policinë e Tiranës po punon për identifikimin e kufomës dhe ka kërkuar informacion nga të gjitha komisariatet për persona që rezultojnë të zhdukur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: