Kampionat për “Guinness”. Futbolli shqiptar mbetet në krye të listës për shpikjet që bën. Federata Shqiptare e Futbollit tregoi edhe një herë mungesën e seriozitetit për kampionatin e Kategorisë së Parë. Vetëm një institucion i futbollit si ky në Shqipëri mund të publikojë kalendarin vetëm dy ditë përpara startit të kampionatit. Çmenduri e pavend!

Kategoria e Pare
Pas shumë pritjesh, shtyrjes, padrejtësish dhe vendimesh selektive, më në fund dje u zbardh edhe kalendari i kampionatit që do të nisë nesër. Një garë e mbushur me shumë dritëhije dhe absurditete ku tregohet qartë një mungesë vullneti për të luftuar fenomenin e trukimeve që gjatë sezonit të kaluar u bë alarmant. Një skemë e re për fazën e tretë dhe risi është transmetimi për herë të parë i këtij kampionati në TV.

Batutat gjatë hedhjes së shortit
-Presidenti i Turbinës, Gentjan Gjoka, përpara hedhjes së shortit i është drejtuar zyrtarit të FSHF-së, Marjus Sulejmani: “Ka kohë për federimet, do t’i bëjmë. Juve ju interesojnë lekët, i morët ato, tani jeni në rregull”.

-Kur trajneri i Sopotit, Alpin Gallo, e mori vesh që Kastrioti dhe Iliria, që kanë të njëjtin pronar, do të jenë sërish së bashku në Grupin A, nuk e përmbajti dot batutën ndaj shefit të klubit fushë-krujas, Fatmir Sala. “Qenkeni me fat, do jua lërë ndeshjet Kastrioti”. Dhe Sala, që e merr seriozisht, ia kthen: “Ne e mundim vetë Kastriotin”.

Kategoria e Pare shorti 2016
-Kontestimet për kampionatin kanë nisur që dje. Dinamo e Partizani B së bashku me Ilirinë dhe Sopotin janë përzgjedhur që në fillim të shortit për të mos pasur përplasje, pasi luajnë në fusha të njëjta. Kjo nuk i ka pëlqyer presidentit të Turbinës, Gentjan Gjoka, i cili i ka kërkuar llogari shefit të garave, Lysjen Nurishmi. “Pse nuk zgjodhët edhe Turbinën dhe Shkumbinin, pasi edhe ne në të njëjtin stadium do të luajmë. Po komprometoni garën që tani”. Nurishmi “ka kafshuar gjuhën” dhe është mundur ta kalojë kokulur.

Çfarë nuk shkon me kampionatin
-Kampionati i Kategorisë së Parë, i cili nis nesër, është për rekord “Guinness”. Kalendari është zbardhur vetëm dy ditë përpara startit të garës. E padëgjuar!

-Mamurrasi përjashtohet nga kampionati pasi nuk mundi të shlyente detyrimet financiare. Në vend të tij është futur Partizani B. Por, edhe Naftëtari është në pozita të njëjta me të kuqtë. Vendim shumë i dyshimtë dhe i paargumentuar nga zyrtarët e Federatës.

-Dy skuadra në Grupin A kanë të njëjtin pronar. Iliria e Kastrioti janë në pronësi dhe financohen nga Bashkia e Krujës. Gjithashtu, Bashkia e Lezhës do të ndihmojë financiarisht Shënkollin, në një kohë që ka po ashtu në pronësi edhe Besëlidhjen. Nuk shkon!

-Partizani B do të luajë në Kategorinë e Parë, por për shkak të rregullores s’mund të ngjitet në Superiore. Kjo mund të prishë garën. Dikush mund të thotë se edhe në Spanjë është Barcelona B apo Real Madrid B. Por, në vendin ku kampionia e Superiores dënohet për trukime, çfarë garancie të jep zgjedhja e bërë?!

-Tri skuadra nuk mund të luajnë dot në stadiumet e tyre. Dinamo dhe Partizani B që përfaqësojnë dy klube me emër, do t’i luajnë ndeshjet në Pezë, disa kilometra larg Tiranës. Sopoti ia ka marrë dorën dhe, për këtë sezon, ka gjetur “ngrohtësinë” në… Fushë- Krujë.

Katër skuadra nuk luajnë në shtëpi
Kampionati i Kategorisë së Parë që do të nisë nesër ka shumë probleme me stadiumet. Katër skuadra nuk do të mund t’i luajnë ndeshjet në shtëpi. Përjashto Turbinën që përkohësisht do t’i luajë takimet në Peqin, për shkak të rikonstruksionit të stadiumit, tri skuadra të tjera nuk kanë stadiume për të luajtur në qytetet që përfaqësojnë. Kështu, Dinamo dhe Partizani B që përfaqësojnë klube me emër dhe kanë qendrat e tyre në Tiranë do t’i luajnë takimet në Pezë, disa kilometra larg kryeqytetit. Ndërsa Sopoti, që luan prej dy sezonesh në stadiume të ndryshme, për kampionatin e ardhshëm do t’i luajë takimet në Fushë-Krujë. Stadiumi i Librazhdit është në gjendje mjerane.

Ndeshjet në TVSH
Për herë të parë, kampionati i Kategorisë së Parë do të transmetohet drejtpërdrejt në TV. Më parë ka ndodhur që të shihen ‘live’ vetëm finale apo takime të veçanta. Tashmë, gjithçka do të jetë në vazhdimësi. Është Televizioni Publik Shqiptar që ka blerë për pesë sezonet e ardhshme transmetimin e kampionatit të së Parës. TVSH do të japë tri ndeshje çdo javë. Dhe gjithçka do të nisë që me ndeshjen e javës së parë, Erzeni-Partizani B, që do të transmetohet nesër, në orën 14:00.

Ja rregullorja e fazës së tretë
Pas dy sezonesh, FSHF vendosi që të ndryshojë skemën e fazës së tretë të Kategorisë së Parë. Nga ky kampionat që do të nisë nesër skema e fazës së tretë nuk do të jetë më me zhvillimin e nga një takimi dhe ku merrnin pjesë të dhjetë ekipet. Tashmë, gjithçka është përmbysur dhe do të jetë ndryshe. Për të shmangur aleancat, trukimet dhe paracaktimin e rezultateve, të cilat u regjistruan me shumicë sezonin e kaluar, FSHF ka vendosur që pas dy fazave të para ekipet të ndahen në dy minigrupe në fazën e tretë. Pesë ekipet e renditura të parat do të përballen mes tyre në pesë përballje, mes sistem vajtje dhe ardhje.

E njëjta gjë edhe me pesë ekipet e tjera të renditura në vendet e fundit. Dhe, gjatë atyre javëve, një prej ekipeve do të jetë pushim. Në fund të fazës së dytë, të gjitha skuadrave do t’u përgjysmohen pikët, kjo për të ngushtuar diferencat dhe për ta bërë garën sa më të fortë në fazën e tretë. Nëse shuma e pikëve do të jetë numër tek, do të llogaritet numri më i madh i gjysmës (shembull, 21 pikë, do llogaritet 11). Në fund të kampionatit, dy ekipet e para të Grupit A dhe B do të ngjiten automatikisht në Superiore dhe dy skuadrat e fundit do të bien në Kategorinë e Dytë. Ndërsa ekipet e vendeve të 9-ta do të luajnë ‘play-out’ me vendet e dyta të grupeve të Kategorisë së Dytë. Gjithashtu, ekipeve u është shtuar edhe një ndeshje më tepër në krahasim me dy sezonet e mëparshme./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: