NGA: VASIL KURETA
Samiti i Bratislavës nuk mund të bënte më shumë, apo nuk mund të pritej më shumë prej tij, sepse nuk ishte rrjedhojë e një analize komplekse të thellë e vizionare, por shprehje e një emergjence e alarmi të radhës. Ato që mbetën në këtë demonstrim uniteti europian ishin deklarimet e llojit, se forca diplomatike e Europës nuk është e mjaftueshme për të përballuar sfidat e botës moderne, se na duhet një komandë europiane, apo të organizohemi për të punuar për një forcë ushtarake të përbashkët, që të shërbejë si plotësim i NATO-s, apo se konsolidimi i mbrojtjes europiane në Europë, nuk do të thotë më pak solidaritet euroatlantik, shoqëruar me thirrjen për unitet mes vendeve anëtare. Që nuk mund të fokusohej ky samit në thelbin e brendshëm të problemeve, apo të sillte një produkt vizionar e përgjigje ndaj kontradiktës kryesore mes interesave të shtetit komb dhe integrimit, e tregoi dhe një replikë kritikuese fyese mes ministrit të Jashtëm të Luksemburgut, që kritikoi qëndrimin e Hungarisë ndaj krizës së refugjatëve, duke kërkuar pezullim të përkohshëm apo përjashtim nga BE dhe përgjigjes së ministrit të Jashtëm hungarez për kolegun luksemburgas, se është peshë e lehtë në diplomacinë europiane, apo se nuk i merrte seriozisht ato që ai tha. Pra, pas samitit të Bratislavës, ka një BE që përjeton një kontradiktë të brendshme komplekse dhe një pyetje konkrete: Do të ketë avancim të projektit europian apo shpërbërje të BE.

Kjo çështje tashmë po bëhet e mprehtë dhe nuk mund të mbahet e mbuluar e as te ruhet si e fjetur kur gëlon. Ajo kontradiktë duhet trajtuar e zgjidhur, sepse një ditë shpërthen spontanisht me pasoja të pariparueshme. Dhe, në fakt, nga krerë të lartë të burokracisë europiane dhe klasës politike europiane, po deklarohet hapur, se BE përballet nga një krizë ekzistenciale, se të përbashkëtat nuk kanë qenë kurrë në nivel më të ulët, pasi qeveritë janë më të shpejta të deklarojnë se çfarë nuk duan nga Brukseli, në vend që të punojnë së bashku. Kjo kontradiktë e ky problem kritik i BE, ka avancuar shumë, teksa pranohet se ka diferenca të dallueshme shikimesh e idesh, teksa nuk ka një qëndrim të unisuar ndaj krizës së refugjatëve e imigracionit, që është tregues domethënës i raportit të klasës politike europiane ndaj sistemit të vlerave, apo esencës së brendshme të BE etj. Megjithatë, është pozitiv fakti që janë unisuar në nevojën e reformimit të BE, apo se janë të hapur për këtë proces. Kjo tregon se mund të ketë shpresë për avancim të projektit europian, por që nuk mjafton me kaq. Samiti i Bratislavës la shpresë, që pas gjashtë muajsh të mundësohet një rindërtim i ëndrrës së BE d.m.th. i projektit europian. Siç duket, ndërgjegjësimi për një kërcënim ekzistencial real po e nxit klasën politike europiane të reflektojë thellë, që vërtet do të kërkojë më shumë kohë, por që të paktën të dakordësohen se, duhet reaguar seriozisht. Kjo kontradiktë reale dhe kriza ekzistenciale e BE, do të mund të fillojë të zgjidhet vetëm nëse orientohet nga esenca e BE, sistemi i vlerave mbi të cilat mbështetet projekti europian, mbrojtja dhe zhvillimi I tyre, rritja e mëtejshme e nivelit të mirëqenies në gjithë hapësirën europiane, duke zvogëluar e shuar diferencat aktuale mes Veriut dhe Jugut, sidomos duke siguruar një perspektivë të garantuar për brezin e ri dhe një njohje e dashuri të këtij brezi për vlerat dhe thelbin e projektit europian.

S’ka shumë optimizëm nga samiti i shpejtë Bratislavës për një shkundje të thellë ndaj situatës e sidomos për veprim serioz e të guximshëm ndryshues. Që të ketë veprim nevojitet më parë reflektim i thellë, që duket se po mungon, sepse akoma nuk është kuptuar, se sa nën pushtetin e interesave të shtetit komb janë klasat politike europiane, se sa besim e orientim kanë ata nga esenca e sistemi i vlerave të bashkësisë, që përbën bazën e funksionimit si e tillë d.m.th. si bashkim vlerash, popujsh, kombesh e shtetesh europianë. Ky është problem serioz, prandaj diskutimi i problemeve dhe sidomos vendimmarrja nuk orientohet plotësisht nga sistemi i vlerave, por reduktohet në një aritmetikë, se çfarë përfitoj apo humbas unë, se sa të gjykohet e vendoset se ç’duhet të bëjmë së bashku, që të jetë një vendimmarrje efektive për të gjithë. Kjo ndodh se ka kontradiktë mes “unë” dhe “ne”. Pas shpërthimit të krizës botërore financiare të vitit 2008 e këtej, ka fituar shumë teren e epërsi “unë” mbi “ne”. Unë është kuptuar më shumë si mbyllje e izolim, si shkëputje nga ne, që më shumë është injektuar në klasën politike, por që më pas ka kaluar dhe në popujt e tyre, ku ekstremistët, nacionalistët e euroskeptikët kanë përfituar shumë. Kështu, dëmi është bërë i madh, prandaj dhe ekstremistët, populistët e euroskeptikët kanë fituar teren në skenën politike dhe partitë tradicionale kanë humbur peshat e tyre në elektorat. Ka sot njerëz nga klasa politike europiane të dashuruar më shumë nga ideja e diskutimi për sovranitetin nacional, se sa të preokupuar për avancimin e projektit europian, që mendojnë se si t’u rezistojnë qëndrimeve apo politikave të Brukselit, se sa të impenjuar për implementimin e tyre. Kjo do të thotë se më shumë po e mbajnë kokën nga dalja nga BE, se sa nga kontributi për ecurinë e projektit europian.

Kështu, në përballjen me krizën e refugjatëve, disa më shumë mbajnë lart flamurin e nacionalizmit se atë të BE, duke menduar se flamuri nacionalist, populizmi janë më të efektshëm për të qëndruar në krye të vendit e për të fituar në zgjedhjet elektorale. Në fakt, më të anatemuara tani, me të drejtë ose jo, janë strukturat e burokracisë europiane, që po cilësohen si ineficente, madje dhe si përgjegjëse të kësaj situate, apo ngecje të projektit europian. Krijimi i organizmave mbikombëtare u vlerësua si një hap pozitiv, i mbështetur në doktrinën mbi shtetin e të drejtën. Në proces këto krijesa u shfaqën më shumë si burokraci, se sa si një mjet efektiv drejtimi i bashkësisë europiane, sepse u mungonte thelbi, kompetencat dhe hapësira e shtrirjes së tyre. Ato më shumë u shfaqën si organizma koordinues se sa si drejtues. U krijua kështu një lloj dypushteti i burokracisë europiane dhe pushtetit të shteteve kombe. Kjo cilësi e këtyre organizmave nuk ndryshoi në proces dhe me kohë ato filluan të konsiderohen jo shumë të rëndësishëm, të nënvleftësohen dhe madje të shihen si një lloj barre apo kosto e tepërt. Ky dypushtet apo përballja e pushtetit real të shteteve kombe me burokracinë europiane, erdhi duke konsumuar problemin e mosfunksionimit të BE si një bashkësi e tërë, sa që sot flitet për krizë ekzistenciale, apo për situatë kritike. Organizmat mbikombëtare lindën vërtet si produkt i kompletimit e avancimit të projektit europian, por ngecja e projektit europian, ka bërë që të anatemohen, si shkak apo përgjegjës të kësaj situate, kur në fakt shkaqet janë më thellë, se përgjegjësia e burokracisë europiane, që ka pasur pak pushtet.

Klasat politike europiane janë përgjegjësit kryesorë që kanë mundësuar rritje të presionit të interesave të shtetit komb mbi vlerat europiane, apo ndaj avancimit të projektit europian. Kjo është e vërteta, qoftë dhe e hidhur. Klasat politike e kanë cilësuar projektin europian si pronë të tyre, dhe nuk kanë bërë ndonjë gjë sinjifikative, që ai projekt, të bëhet në formë të organizuar, i njohur e i dashuruar për të gjitha kategoritë e shoqërisë, sidomos për brezin e ri, por kanë mbivlerësuar realitetin, që mbart edhe arritjet, por dhe problemet e mprehta. Kanë parë e menduar më shumë për sot se sa për nesër, më shumë për vete se për bashkësinë. Agravimi i problemeve ka ndihmuar t’i faturohet përgjegjësia më shumë burokracisë europiane, klasave drejtuese të vendeve europiane, duke i ndihmuar në proces një lloj dobësimi ndaj besimit e mbështetjes së projektit, siç kanë dëshmuar sondazhet dhe Brexit. Është domethënës e shqetësues fakti, që në çështjen e mbrojtjes së vlerave europiane e konkretisht atë të trajtimit të krizës së refugjatëve, Kancelarja gjermane Merkel u dallua qartë e mbështetur në vlerat europiane të solidaritetit, humanizmit etj. dhe është fakt se është gjykuar negativisht nga elektorati i vendit të vet, që tregon shumë. Brexit nuk ishte rastësi, por njëherësh ishte një goditje e rëndë për projektin europian, që i ka bërë të jenë disi në epërsi skeptikët e disfatistët, populistët e ektstremistët, që kanë një shtrirje të gjerë në hapësirën europiane e shtresat sociale. Brexit ka shkaktuar ndikime ndaj performancës ekonomike të BE të eurozonës. Është vështirësuar ndjeshëm vendimmarrja kolektive apo e unisuar. Ka prirje për t’i larguar nga vetja përgjegjësitë e përbashkëta, që ka rritur barrën e Gjermanisë që i ka kontribuar dukshëm bashkësisë. Është krijuar një situatë vërtet e rëndë, teksa ka tendenca të hapura për shpërfilljen e rregullave të dakordësuara të BE, duke krijuar edhe një shteg të mosndëshkimit të shpërfilljeve, siç ka qëndrime që nuk mbështeten në vlerat europiane, si për krizën e refugjatëve, për respektimin e rregullave fiskale, sundimin e ligjit e demokracisë etj.

Është fakt se sot është rritur shumë roli i atyre partive politike që duan shpërbërjen e BE. Brexit tregoi se sa i madh ishte dëmi i bërë nga klasat politike, sa e pa përgatitur dhe pa ide apo sa e varfër në argumente u shfaq burokracia e vetë klasa politike europiane përballë këtij faktit që mund të bëhet prirje. Merkel, që e njeh mirë edhe situatën edhe përgjegjësinë edhe rrezikun real, bëri thirrje për të mbrojtur BE dhe ka të drejtë se ka kontribuar dukshëm për projektin, por njeh dhe përgjegjësinë për gjendjen. Kjo mirë, por tash duhet konkretizuar se si mund të mbrohet, si të kapërcehet situata kritike dhe të shëndoshet ecuria e projekti europian. Samiti i Bratislavës ishte një përpjekje për të mbajtur në këmbë BE, kur ajo ka shumë nevojë të avancojë përpara në mënyrë domethënëse e bindëse e jo me masa gjysmake e të pjesshme, por duke intensifikuar punën për përgatitjen e një programi kompleks, objektiv i të cilit të jetë të ndalë mundësinë e shpërbërjes e të krijojë kushte, besim e mbështetje më të gjerë për avancimin konkret e përmbyllje të projektit europian. Kjo gjendje nevojitet të kapërcehet sa më parë, në se mbahet parasysh fakti se kjo situatë e ka bërë më të lehtë goditjen gjeopolitike ndaj hapësirës europiane, ka gjallëruar orekset ekspansioniste, që tashmë nuk janë hipotetike, por shumë konkrete e të qarta, kur strategjitë e përçarjes europiane janë në aktivitet të plotë. BE është vërtet në situatë të vështirë depresive, por kjo kërkon përqendrim e përgjegjshmëri të lartë e jo fjalime moralizuese, flluska sapuni. Kërkon shkundje të vërteta, por kur dëgjon thirrjen e zyrtarit të lartë europian, drejtuar drejtuesve të shteteve anëtare të BE, që të jenë të kthjellët dhe që në mënyrë të sinqertë të vlerësojnë situatën, vërtet trishtohesh. Brenda kësaj thirrjeje nënkuptohet tronditshëm, se klasa politike europiane e BE nuk është e ndërgjegjshme se çfarë dëmi i ka bërë projektit europian, pale të shpresohet për një reflektim e shkundje të shpejtë të saj, për fillimin e kapërcimit të situatës kritike. Edhe fillimi i shkundjes, por edhe fillimi i një pune serioze për një program kompleks, mund të mendohen vetëm në se kthehet koka nga thelbi i BE, si bashkim vlerash e standardesh të larta zhvillimi, popujsh, kombesh e shtetesh e jo një bashkim klasash politike, d.m.th. nga ato që i bashkojnë popujt dhe shtetet europiane e vendosmëria për t’i sendërtuar, zhvilluar e mbrojtur ato me vendosmëri e së bashku.

Tash ka shumë nevojë për veprim e harmonizim forcash, mbështetje në institucione krijuese idesh, në harmonizimin e një pune të përbashkët të klasës politike europiane me ekonomistë, sociologë, filozofë, juristë. Por mbi të gjitha ka nevojë për të siguruar një mbështetje më të madhe e më të gjerë nga popujt europianë, që po goditen nga ide helmuese anti BE. Nevojitet një program unik i dakordësuar e jo fjalime patetike apo dëshpëruese. Mundësia, kyçi dhe suksesi i ndërtimit të një programi veprues është mbështetja e fuqishme te vlerat e larta të BE, te arritjet e mëdha dhe një ballafaqim i hapur i klasës politike me popujt europianë, për arritjet, problemet e krijuara dhe përgjegjësitë e vet kësaj klase për këtë situatë. Nevojitet një plotësim e thellim i mëtejshëm i vizionit e projektit europian, që edhe situata kritike të kapërcehet, por edhe avancimi e përmbyllja e këtij projekti shumë të madh në historinë e njerëzimit, modelit të zhvillimit ekonomik, politik e social të mbështetur në standarde të larta e progresiste, që të kthejë besimin te ardhmëria e projektit dhe një mbështetje më solide, ndryshe klasa politike europiane do të bëjë gabimin e madh përpara historisë. Nëse vërtet nuk ka reagim dhe projekti nuk avancon atëherë popujt europianë, që i gëzojnë standardet e larta të zhvillimit, do të kuptojnë dhe ata përgjegjësinë se çfarë kanë bërë me inaktivitetin e tyre në mbrojtje të projektit europian, qe kanë lënë klasat politike të godasin ëndrrat e tyre për të ardhmen. Brezi i ri nevojitet të behet promotori i mbrojtjes së vendosur të projektit europian dhe nxitjes së nisiativës për avancmin e përmbylljen e tij, që vërtet të shpresohet në ardhmërinë e projektit europian.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb