NGA JETON SELIMI

TIRANE- Xhani de Biazi është fokusuar te ndeshja ndaj Lihtenshtejnit sa është i gatshëm të anashkalojë edhe Spanjën. Fundja, në një logjikë të thjeshtë e të ftohtë, 3 pikët ndaj shtetit të vogël në mes të Alpeve janë një objektiv i detyrueshëm, ndërsa ndaj Spanjës së fortë, edhe barazimi mund të cilësohet një dhuratë e madhe, teksa objektivi parësor duhet të jetë moshpërfytyrimi. Megjithatë, trajneri i Kombëtares kuqezi e merr me sportivitet.

Gjatë një prononcimi të shkurtër për portalin “Tuttomercatoweb”, Xhani De Biazi përveç pyetjeve në lidhje me kampionatin italian dhe duelet e italianëve në kupat e Europës u ka shuar kureshtjen gazetarëve edhe në lidhje me të ardhmen e tij si trajner dhe sfidat e radhës të Shqipërisë në eliminatoret e “Rusi 2018”. Ai bën humor me pyetjet e gazetarëve në lidhje me ndeshjen ndaj Spanjës, duke e cilësuar atë thjesht si një përballje të zakonshme.

“Kemi një seri ndeshjesh. E para mund të duket e lehtë (Lihtenshtejni), por nuk është e tillë dhe pastaj do të përballemi me Spanjën që është kthyer në nivelet e disa viteve më parë dhe ka lojtarë të mëdhenj në organikën e saj. Niveli teknik i lojtarëve të kombëtares spanjolle është i jashtëzakonshëm ashtu si lojtarët e saj, nga Diego Costa te David Silva, Jordi Alba. Me pak fjalë, një ndeshje zakonshme (qesh)”, thotë De Biazi.

Më pas diçka më shumë rreth së ardhmes së tij. Gjatë muajve të verës, u fol shumë për një ndryshim ambienti nga ana e trajnerit të Kombëtares, ndërsa zërat e korridoreve flisnin dhe për një përçarje të mundshme të tij me presidentin Armand Duka, përçarje që nisi menjëherë pas kualifikimit të Shqipërisë për në “Euro 2016”. Mediat, dhe në jo pak raste njerëz pranë Dukës dhe De Biazit, nëpër intervista të ndryshme u përpoqën të minimizonin ndikimin e trajnerit, çka e irritoi jo pak De Biazin.

Gjithsesi, dje për mediat italiane, De Biazi ka deklaruar se do të respektojë kontratën që ka me përfaqësuesen e Shqipërisë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, duke mohuar zërat për largimin e tij përpara përfundimit të eliminatoreve të vlefshme për Botërorin “Rusi 2018”. Kontrata e De Biazit skadon në fund të vitit 2017 dhe ai ka ndërmend ta respektojë atë. “Dinamo e Zagrebit? Jo, asnjë telefonatë. Pastaj kam një kontratë me Federatën Shqiptare, jam i lumtur që drejtoj Kombëtaren. Kam si synim të respektoj kontratën”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: