SHKODER – Pasi ekzekutoi me plumb në ballë 47-vjeçarin Genc Mhillaj, në aksin Shkodër-Velipojë, 21-vjeçari Jozef Mujeci ishte fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Gruemirë në Malësi të Madhe.
Policia e Shkodrës ka zbuluar vendin ku qëndronte autori i krimit dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij mëngjesin e sotëm. Mësohet se i riu nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë.
NJOFTIMI I POLICISE:
Zbardhet brenda 12 orëve ngjarja e ndodhur ditën e djeshme rreth orës 11:00 në fshatin Bushat Shkodër ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Genc Mhillaj.
Kapet dhe arrestohet në flagrancë autori i vrasjes.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe policore si dhe vlerësimit të informacioneve në lidhje me vendndodhjen e autorit të vrasjes së shtetasit Genc Mhillaj, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër u arrit që të finalizohej me sukses operacioni policor për kapjen e shtetasit të kërkuar Jozef Mujeci, 21 vjeç, banues në Lezhë.
Ky shtetas u kap në fshatin Gruemirë në Malësi të Madhe, i fshehur në një banesë të braktisur.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga nenet 78, 25 dhe 278 të Kodit Penal.
NGJARJA
47-vjeçari Genc Mhillaj (Pjetri) nga Torovica e Lezhës është ekzekutuar dje me një plumb pistolete në ballë. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën babai i katër fëmijëve ndodhi rreth orës 11:00 në afërsi të fshatit Mali i Jushit, Bashkia e Vau i Dejës.
Menjëherë pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri tek ura në Malin e Jushit dhe se një person ishte qëlluar, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimin për identifikimin dhe arrestimin e autorit të krimit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, hetuesit e çështjes pohuan se dyshohet që ngjarja të ketë marrë shkas nga një konflikt i nisur tri ditë më parë.
VRASJA
Sipas burimeve nga policia e Shkodrës, Genc Mhillaj (Pjetri) ka qenë duke udhëtuar së bashku me të riun Mujeci, banues në Lezhë. Mësohet se Mhillaj ka qenë duke drejtuar mjetin tip kamionçinë me targë AA 609 IV. Në këtë automjet ndodhej edhe autori i vrasjes. Kamionçina ishte e ngarkuar me miell dhe misër, duke qenë se viktima punonte çdo ditë me këtë punë.
Shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë sipas policisë ka qenë një konflikt i para tri ditëve mes dy personave në fjalë, ndodhur në fshatin Torovicë të Lezhës. Ende nuk janë të qarta motivet e këtij konflikti, por dyshohet se mund të ketë marrë shkas nga prishja e pazarit mes njëri-tjetrit. Po të njëjtat burime u shprehën se 47-vjeçari e ka rrahur Jozef Mujecin.
Ndërkaq, ky i fundit është hakmarrë ditën e djeshme. Genc Mhillaj, i cili mbeti i vrarë, prej kohësh kishte marrë me qira një tokë, të cilën e punonte për të nxjerrë të ardhura. Ai ishte duke shkuar dje tek kjo sipërfaqe toke, kur ka debatuar me personin që kishte në automjet, të dyshuarin kryesor të vrasjes, Jozef Mujeci.
Teksa 21-vjeçari e ka kërcënuar në sherr e sipër se do e vriste, Mhillaj ka braktisur kamionçinën dhe ka nisur të vrapojë drejt tokës bujqësore, por i riu e ka ndjekur nga pas derisa e ka qëlluar duke e plagosur rëndë. Babai i katër fëmijëve është transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës, por ka humbur jetën ende pa mbërritur.
(er.nu/BalkanWeb)
