Koreja e Veriut ka kritikuar thirrjen e ministrave të Jashtëm të SHBA-së, Australisë, Japonisë dhe Indisë për çarmatosjen e saj bërthamore, duke deklaruar se nuk do të heq dorë kurrë nga programi i saj i armëve bërthamore.

Katër vendet ritheksuan angazhimin e tyre për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut në një deklaratë të përbashkët të publikuar të martën pas bisedimeve mes kryediplomatëve të grupit të sigurisë Quad në kryeqytetin e Indisë, New Delhi.

Sipas agjencisë shtetërore koreano-veriore të lajmeve KCNA, një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut tha se çarmatosja bërthamore e vendit “nuk do të ndodhë kurrë”.

“Quad nuk është gjë tjetër veçse një mjet politik dhe diplomatik që i shërben strategjisë së SHBA-së për dominim unipolar”, tha zëdhënësi.

Ministria tha se e dënon me “vendosmëri” atë që e cilësoi si qëndrim armiqësor të grupit Quad dhe i kërkoi grupit të ndalojë veprimet që minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.

Deklarata shtoi se lëvizja e Quad-it për të forcuar bashkëpunimin synon “të justifikojë përpjekjet e Japonisë për riarmatim dhe posedimin nga Australia të një nëndetëseje bërthamore”.

Zëdhënësi tha se Koreja e Veriut do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë dhe do të kundërshtojë atë që e përshkroi si aleanca ekskluzive dhe përballje blloqesh në rajon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb